Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Suedi, bëhet gati flotilja për tu nisur në Gaza

Suedi, bëhet gati flotilja për tu nisur në Gaza

 Aktivistë në Suedi që kanë nisur iniciativën “Flota për Gazën” (Armada for Gaza) me qëllim të thyerjes së embargos së Izraelit ndaj Gazës, vitin e ardhshëm planifikojnë të nisen në udhëtim, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktivistët të cilët javën e kaluar blenë një anije me gjatësi prej nëntë metrash në qytetin Goteborg, kanë siguruar financat e nevojshme me fushatën e inicuar dhe planifikojnë që në vitin 2018 të thyejnë embargon izraelite në Gaza.

Ata e kanë emërtuar anijen sipas fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, Mairead Maguire.

Jeanette Escanilla, zëdhënëse e Shoqatës Ship to Gaza, për AA tha se në vitin 2018 do të nisen për në Gaza me moton “Armada for Gaza” për të thyer bllokadën izraelite.

Ajo tha se planifikojnë që flotës t’i bashkangjiten shumë anije, duke shtuar se në shumë qytete dhe rajone të Suedisë kanë nisur fushata reklamuese.

“Jemi duke bërë njoftime rreth flotës dhe po tubojmë ndihma në të holla. Në Goteborg blemë anijen me dy vela të gjatë nëntë metra”, tha Escanilla.

Lidhur me emërtimin e anijes, Escanilla theksoi se nobelistja Maguire nga Irlanda e Veriut prej vitesh kritikon politikat e Izraelit kundrejt Palestinës.

“Në vitin 2010 ajo u gjend në njërën nga anijet e Flotës së parë të Lirisë. Në vitin 2011 mori pjesë në Flotën e dytë të Lirisë për Gaza. Vitin e kaluar ishte në mesin e 13 grave që u nisën për Gaza”, shtoi Escanilla.

Në ndërkohë, Maguire, përmes një mesazhi që ka publikuar lidhur me këtë, ka thënë se ndihet e nderuar që anija është emërtuar sipas saj.

“Ju ofroj çdo mbështetje timen për punimet që po i bëni për çlirimin e Gazës. Popullata e Gazës ka vuajtur shumë nga politikat e papërgjegjshme të Izraelit. Ka ardhur koha që shteti izraelit t’i japë fund rrethimit të Gazës dhe të ofrojë një mundësi për paqe”, ka thënë Maguire, duke falënderuar aktivistët suedez të cilët, siç është shprehur, i kanë dhënë shpresë popullatës së Gazës dhe kanë emërtuar anijen me emrin e saj.

Exit mobile version