Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Suedia dhe Bosnjë e Hercegovina riafirmojnë angazhimin për zgjerimin e BE-së

Suedia dhe Bosnjë e Hercegovina riafirmojnë angazhimin për zgjerimin e BE-së

Suedia dhe Bosnjë e Hercegovina ka riafirmuar angazhimin e tyre për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe lidhje më të ngushta dypalëshe, si dhe kanë theksuar se e ardhmja e vendit ballkanik është brenda bllokut evropian nëse zbatohen reformat kyçe, transmeton Anadolu.

Në një opinion të përbashkët të postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë, ministrja suedeze Malmer Stenergard dhe homologu i saj boshnjak, Elmedin Konakoviq, shënuan më shumë se 30 vjet marrëdhënie dypalëshe, që përkojnë me përvjetorët e anëtarësimit të Suedisë në BE dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtorit të vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Të dy thanë se vendet e tyre ndajnë një histori solidariteti, duke përmendur rolin e Suedisë në mbështetjen e përpjekjeve për paqe dhe strehimin e mijëra refugjatëve boshnjakë gjatë luftës së viteve 1990.

Ata thanë se suedezët me origjinë boshnjake janë tani ndër komunitetet më të integruara me sukses në shoqërinë suedeze, duke forcuar lidhjet ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve.

Bosnjë e Hercegovina aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2016, iu dha statusi i kandidatit në dhjetor të vitit 2022 dhe mori një rekomandim nga Komisioni Evropian dy vjet më vonë për të hapur negociatat e pranimit.

Shefat e diplomacië së dy vendeve thanë se këto hapa konfirmojnë se e ardhmja e vendit është në BE, pavarësisht sfidave të brendshme politike që rrezikojnë të minojnë rendin kushtetues të vendosur nga marrëveshja e Dejtonit.

Ata përcaktuan tre prioritete për të çuar përpara procesin e pranimit, përshpejtimin e reformave, rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe mobilizimin e mbështetjes për zgjerimin brenda BE-së.

Sipas deklaratës, Bosnjë e Hercegovina duhet të zbatojë reformat themelore, duke përfshirë forcimin e gjyqësorit, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e lirisë së medias. Këto masa, theksuan ata, janë thelbësore për integrimin në BE, rivendosjen e besimit publik dhe tërheqjen e investimeve.

Kryediplomatët gjithashtu bënë thirrje për dialog më të fortë rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, duke argumentuar se bashkëpunimi i zgjeruar do të rrisë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version