Ballina Lajmet Kosovë “Sulmi i Banjskës mund të përsëritet”

“Sulmi i Banjskës mund të përsëritet”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se sulmi në Banjskë është shembull që tregon se gjithmonë mund të fillohet ndonjë sulm, e sipas tij, Kosova duhet të jetë gati për luftë. Ai ka deklaruar për mediumin ukrainas “European Pravda”.

Ai ka thënë se një luftë konvencionale aktualisht është e pamundur.

“Nëse i shikoni zhvillimet në anën e Serbisë, gjithmonë duhet të llogaritni në një konflikt të mundshëm dhe ka elemente që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Kjo do të thotë se ne jemi gjithmonë vigjilentë, por llogarisim në skenarin më të keq të mundshme. Besojmë se prania e KFOR-it në Kosovë mund t’i pengojë këto tensione në një të ardhme të afërt, por gjithmonë është i mundur (sulmi serb)”, është shprehur Bislimi në një intervistë të publikuar më 26 prill.

E, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se sulmi në Banjskë më 24 shtator mund të kishte sjellë më tepër viktima. Ai ka shtuar se serbët që sulmuan në Banjskë ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishin të stërvitur dhe kishin synim pushtimin e veriut.

“Ata kishin armë që janë në shërbim të ushtrisë serbe – për më tepër, këta njerëz ishin të trajnuar posaçërisht, duke jetuar në kazermat e ushtrisë serbe. Duket se kishim të bënim me një tentim sulmi hibrid për të pushtuar veriun e Kosovës – diçka e ngjashme me atë që bëri Rusia në 2014 në Krime dhe Donbas”, ka theksuar ai.

Bislimi ka theksuar se “ka arsye për të besuar se Rusia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulm”.

“Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit që nuk është shumë larg kufirit me Serbinë ekziston e ashtuquajtura ‘Qendra Humanitare Ruse’ e që zyrtarisht është e angazhuar në sigurinë nga zjarri, por askush s’ka parë ndonjë rezultat të punës së saj”, ka shtuar zëvendëskryeministri.

Ai ka deklaruar se është e rëndësishme që “Perëndimi pajtohet me provat se sulmi në Banjskë i kishte rrënjët në lidershipin e lartë të Serbisë”.

Duke folur për komunitetin serb në Kosovë, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova s’ka problem me serbët lokalë, por me autoritetet e Serbisë që i përdor serbët e Kosovës si mjet për të ruajtur pushtetin e tij.

Për temën e ndërrimit të kufijve që dikur ishte diskutuar, Gërvalla ka shtuar se ky plan “nuk zgjidh probleme, por krijon të reja”.

Exit mobile version