Ballina Lajmet Kosovë Tahiri: Njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë paqe të qëndrueshme

Tahiri: Njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë paqe të qëndrueshme

Me ftesë të Iniciativës për Dialog të Libanit (LDI) dhe Universitetit “Notre Dame”, ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Liban, ku po merr pjesë në Konferencën “Dialogu dhe praktikat e mira: paqe-stabilitet-prosperitet”.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë përfaqësues të botës akademike, fetare, politike dhe intelektuale të Libanit dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë. Një panel i është kushtuar dialogut mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si një model për krijimin e paqes përmes marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve. Pjesë e panelit janë përfaqësuesit e dyja shteteve.

Paneli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u moderua nga Ambasadori William Habib, ish sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Libanit.

Tahiri ka folur foli për historinë e përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe proceset paqësore që nga Rambuje, Vjenë dhe tani në Bruksel, si dhe progresin e shtetit të Kosovës në forcimin e shtetit sovran dhe demokratik si dhe subjektivitetin ndërkombëtar.

Ajo tha se Kosova lindi si shtet pas luftës dhe sakrificave njëshekullore të popullit shqiptar dhe Kosovës, si një proces për të korrigjuar padrejtësinë e ndarjes së kombit dhe tokave shqiptare. Ajo po ashtu foli për përvojën personale të saj si një nga liderët e lëvizjes për pavarësimin e Kosovës dhe si negociatore e paqes, si në kohën e luftës në Kosovë e poashtu në procesin e përpjekjeve për integrimet euro-atlantike, duke thënë se kushti evropian për fqinjësi të mirë ka bërë që Dialogu në Bruksel të jap rezultate mjaft të rëndësishme.

Tahiri theksoi se njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe Evropë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira ndërfqinjësorë me ish-armikun Serbinë.

Ajo po ashtu tha se Libani dhe libanezët e kuptojnë historinë tragjike por triumfuese të Kosovës sepse në të gjejnë pjesë të historisë së tyre të okupimeve. Ajo tha se Libani meriton të bëhet një qendër globale për dialog nga ana e OKB-së, sepse shembulli i respektimit të diversiteteve dhe bashkëjetesës mbi këtë vlerë e bën Libanin një model inspirues për dialog dhe paqe.

Exit mobile version