Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tajvani kryen stërvitje ushtarake në mes të tensioneve të larta me Kinën

Tajvani kryen stërvitje ushtarake në mes të tensioneve të larta me Kinën

Tajvani ka kryer stërvitje ushtarake më 11 gusht, një ditë pasi Kina fqinje përfundoi stërvitjet e shkallës së gjerë në Ngushticën e Tajvanit.

Në stërvitjet ushtarake të Tajvanit, që zgjatën pothuajse një orë, u përfshin qindra trupa dhe artileri.

Këto stërvitje u mbajtën në pjesën jugore të ishullit. Stërvitje të ngjashme Tajvani kishte mbajtur në zonën e njëjtë edhe më 9 gusht.

Ushtria e Tajvanit tha se të dy stërvitjet ishin planifikuar më herët dhe nuk u mbajtën në përgjigje të veprimeve të Pekinit.

Tensionet në këtë zonë janë rritur pasi javën e kaluar kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelsoi, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan, vizitoi Tajvanin.

Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që ka vizituar ishullin e Tajvanit në dekada.
Kina pretendon se Tajvani është provincë e saj dhe refuzon që të përjashtojë mundësinë e përdorimit të forcës për të rimarrë kontrollin e ishullit.

Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940.

Raportet mes Pekinit dhe Taipeit janë përkeqësuar veçmas që nga viti 2016, kur Tsai Ing-wen u bë presidente e Tajvanit me platformën që nuk njeh pretendimet e Pekinit mbi këtë ishull vetëqeverisës. /rel

Exit mobile version