Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Të paktën 153 të vdekur pas goditjes së raportuar ndaj një shkolle...

Të paktën 153 të vdekur pas goditjes së raportuar ndaj një shkolle në Iran

Të paktën 153 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën pasi një shkollë për vajza në qytetin Minab, në jug të Iranit, u godit nga raketa, sipas autoriteteve iraniane. Mbi 201 persona raportohet se janë vrarë dhe 747 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore në mbarë vendin që nga e shtuna, sipas Gjysmëhënës së Kuqe iraniane.

Shkolla ndodhej rreth 600 metra nga një bazë e IRGC-së, e cila ka qenë më herët objektiv sulmesh. Zyrtarët lokalë thanë se objekti u godit nga tre raketa.

Irani ka fajësuar SHBA-në dhe Izraelin për sulmin. Nga ana tjetër, Centcom deklaroi se po shqyrton raportimet për incidentin, ndërsa ushtria izraelite tha se “nuk është në dijeni” për ndonjë operacion në atë zonë.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, e quajti ngjarjen një “akt barbar” dhe “një faqe tjetër të zezë në historikun e krimeve të agresorëve”. Një zëdhënës i Centcom-it tha se mbrojtja e civilëve është me rëndësi të lartë dhe se do të merren masa për të minimizuar dëmet e paqëllimshme.

Pamje të verifikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë tym që ngrihet nga ndërtesa dhe njerëz të panikosur në vendngjarje. Megjithatë, numri i viktimave nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, pasi qasja e mediave të huaja në Iran është e kufizuar.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale iraniane. Disa qytetarë kanë fajësuar drejtpërdrejt regjimin, duke theksuar mungesën e strehimoreve, ndërprerjen e internetit dhe mungesën e paralajmërimeve për mbrojtjen e fëmijëve.

Tragjedia ndodhi ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë valë sulmesh ajrore në disa qytete iraniane, pas përshkallëzimit të konfliktit gjatë fundjavës. /mesazhi

Exit mobile version