Ballina Lajmet Të paktën 45 diplomatë rusë u dëbuan nga Evropa

Të paktën 45 diplomatë rusë u dëbuan nga Evropa

Katërmbëdhjetë vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë dëbuar dhjetra diplomatë rusë në një reagim të orkestruar dje mbi helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Britani të Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Deri më tani të paktën 45 diplomatë rusë janë dëbuar në të gjithë Evropën.

“Si ndjekje e drejtpërdrejt e vendimit të Këshillit Evropian të javës së kaluar për të reaguar ndaj Rusisë brenda një kornize të përbashkët, tashmë 14 shtete anëtare kanë vendosur të dëbojnë diplomatët rusë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili ishte në Varna të Bullgarisë për Samitin BE-Turqi.

“Këshilli Evropian u pajtua me vlerësimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar se ka shumë gjasa që Federata Ruse të jetë përgjegjëse dhe se nuk ka ndonjë shpjegim alternativ të besueshëm. Ne vendosëm të përkujtojmë ambasadorin e BE-së në Rusi për konstultime”, shtoi ai.

Gjermania ishte një nga të parat që bëri shpalljen kur ministri i Jashtëm Heiko Maas tha se Berlini kishte “dëbuar katër diplomatë rusë”.

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës thuhet se ata “i kanë njoftuar autoritetet ruse për vendimin e tyre për të dëbuar nga territori francez katër personelë rusë me status diplomatik brenda një jave”.

Polonia tha se ata poashtu ishin duke dëbuar katër rusë për shkak të helmimit të ish-spiunit rus.

– “Mesazh i fuqishëm evropian”

Danimarka, Holanda, Letonia, Spanja dhe Italia thanë se secila kishin dëbuar nga dy diplomatë.

Litunia dhe Republika Çeke bënë njoftime të ngjashme për të dëbuar nga tre diplomatë rusë. Ndërkohë, Estonia, Kroacia, Finlanda dhe Rumania thanë se kanë kërkuar një diplomatë të largohet. Kryeministri suedez, Stefan Lofven, më vonë tha se ata poashtu do të dëbojnë një diplomat rus.

Ukraina, një vend jo anëtar i BE-së, u bashkua me 14 shtetet dhe dëboi 13 diplomatë rusë. Shqipëria ndoqi shembullin për të dëbuar dy diplomatë rusë, ndërsa Maqedonia duke dëbuar një diplomatë.

Sot, poashtu edhe kryeministri i Australisë, Malcolm Turnbull, bëri të ditur se kanë kërkuar nga dy diplomatë rusë të largohen nga vendi brenda shtatë ditësh.

Tusk tha se “masat shtesë, përfshirë dëbimet e mëtejshme brenda kësaj kornize të përbashkët të BE-së nuk duhet të përjashtohen në ditët dhe javët e ardhshme”.

Mbështetja e fuqishme nga vendet e BE-së si dhe Ukraina, SHBA-të dhe Kanadaja, pasuan një takim të Këshillit Evropian të mbajtur këtë javë në Bruksel.

Lidhur me dëbimin e 60 diplomatëve nga SHBA-të, Washingtoni tha se ata punonin si oficerë të shërbimit sekret dhe urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Seattle.

Veç kësaj, ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, tha se katër punonjës diplomatikë në ambasadën ruse në kryeqytetin kanadez, Ottawa, ose nga konsullata e përgjithshme në Montreal do të urdhërohen të braktisin vendin.

“Ne ramë dakord për rëndësinë e dërgimit të një mesazhi të fortë evropian në përgjigje të veprimeve të Rusisë”, u tha kryeministrja britanike, Theresa May, ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Përgjigjja e jashtëzakonshme ndërkombëtare e sotme nga aleatët tanë qëndron në histori si dëbimi më i madh kolektiv i oficerëve të inteligjencës ruse dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e sigurisë tonë të përbashkët”, tha përmes rrjeteve sociale Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

“Rusia nuk mund të shkelë rregullat ndërkombëtare pa u ndëshkuar”, shtoi Johnson.

Islanda poashtu mbështeti Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj perëndimorë në një deklaratë dhe paraqiti një bojkot diplomatik të Kupës Botërore të FIFA-s që do të mbahet këtë verë në Rusi.

“Ndër masat e marra nga Islanda është shtyrja e përkohshme e dialogut dypalësh të nivelit të lartë me autoritetet ruse. Si pasojë, udhëheqësit islandezë nuk do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’ këtë verë”, tha qeveria në një deklaratë.

– “Gjest provokues jomiqësor”

Moska e konsideron këtë hap “një gjest provokues jomiqësor i solidaritetit të njohur”, tha një deklaratë e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse.

“Nuk ka të dhëna objektive dhe gjithëpërfshirëse që konfirmojnë përfshirjen e Rusisë në rastin Sergey dhe Julia Skripal. Hapi jo miqësor i këtij grupi të vendeve nuk do të kalojë pa gjurmë, ne do të reagojmë ndaj kësaj”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se Moska ndjen keqardhje për vendimin e vendeve perëndimore për të dëbuar diplomatët rusë.

Ndryshe, Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij Julia, 33 vjeç, u pranuan në një spital pasi u gjetën pa vetëdije në një stol më 4 mars në Salisbury.

Shumë vende kanë akuzuar Moskën për sulmin të cilin ata e përshkruajnë si sulm kimik, pjesërisht për shkak se agjenti nervor i përdorur në helmim ishte nga grupi i armëve kimike Novichok të zhvilluara nga Rusia gjatë Luftës së Ftohtë.

Incidenti është krahasuar me vdekjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko në vitin 2006, pasi u helmua me një substancë radioaktive në një hotel qendror në Londër. Ish-truprojat e KGB-së të identifikuar si të dyshuar në vrasje mohuan ndonjë përfshirje.

Skripal-it iu dha strehim në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ishte në vuajtje të dënimit me 13 vite burg për rrjedhje të informacioneve ndaj inteligjencës britanike.

Exit mobile version