Ballina Sport Futboll Tensione në Barcelonë, 60 të lënduar gjatë “El Clasico”

Tensione në Barcelonë, 60 të lënduar gjatë “El Clasico”

Ndërsa në Camp Nou, El Clasico mes Barcelonës dhe Realit të Madridit u zhvillua normalisht me skuadrat që e mbyllën përballjen mes tyre me barazimin 0-0 duke mos ndryshuar asgjë në renditje, jashtë impiantit mitik katalanas pati sërish tensione.Protestues pro pavarësisë së Katalonjës u përleshën me forcat e rendit gjate zhvillimit të sfidës.Të maskuar, këta protestues i vunë flakën koshave të mbeturinave ndërkohë që hodhën gurë dhe shishe qelqi në drejtim të forcave të rendit me këta të fundit që u kundërpërgjigjën duke qëlluar me plumba shkume.

Sipas medias spanjolle, bilanci i këtyre përplasjeve për momentin flet për të paktën 60 të plagosur, ndërkohë që 9 persona janë vënë në pranga. Përsa i përket sfidës, në stadium duket se këto tensione nuk u ndjenë dhe vetëm në një moment sfida u ndërpre pasi tifozët hodhën disa topa të verdhë në fushën e lojës, transmeton Tch.

Situata rreth Camp Nout u qetësua pas përfundimit të ndeshjes. Policia i kishte mbyllur të gjitha daljet në jug të stadiumit duke u kërkuar tifozëve që të dilnin nga portat e sektorit verior të tij për motive sigurie.

El Clasico e kësaj të mërkure ishte parashikuar të luhej në 26 tetor, por u shty për shkak të protestave të dhunshme që shpërthyen në Katalonjë pas vendimit të Gjykatës për të dënuar me burg 9 liderë politikë që janë pro pavarësisë së këtij rajoni.

Pas 53 ditësh kjo sfidë u zhvillua, por që u parapri edhe nga një tubim i grupit pro pavarësi, Tsunami Demokratik.

Exit mobile version