Ballina Lajmet Tensione në Kashmir, rrëzohen avionë luftarakë të Pakistanit dhe Indisë

Tensione në Kashmir, rrëzohen avionë luftarakë të Pakistanit dhe Indisë

Ushtria e Pakistanit, ka njoftuar se ka rrëzuar duke goditur 2 avionë luftarakë indianë që hynë në hapësirën ajrore dhe se është kapur piloti i avionit që ka rënë brenda territorit nën kontrollin e Pakistanit, raporton Anadolu Agency (AA). 

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Pakistanit, gjeneral majori Asif Gafur në deklaratën e bërë nga Twitter-i deklaroi se avionët luftarakë të Indisë kanë shkelur hapësirën ajrore të Pakistanit në rajonin Muzaffarabad në linjën e kontrollit të Kashmirit, ndërsa njëri nga avionët që ka hyrë 5-6 kilometra brenda kufirit ka lëshuar një bombë derisa largohej në anën indiane pasi avionët luftarakë pakistanezë kanë ndërhyrë.

Ai theksoi se bomba ka rënë në një rajon në afërsi të qytetit Balakot në provincën kufitare Hayber-Pahtunva.

Duke ndarë fotografitë e mbetjeve të bombës dhe vendit ku ka rënë, Gafur tha se nuk kishte humbje jetësh apo dëme materiale.

– Ushtria e Indisë rrëzon një avion luftarak të Pakistanit

Mediat indiane raportojnë se ushtria e Indisë ka rrëzuar avionin F-16 të Forcave Ajrore të Pakistanit si kundërpërgjigje pasi që ka shkelur hapësirën ajrore të Indisë.

Më parë është njoftuar se tre avionë të Forcave Ajrore të Pakistanit në orët e para të mëngjesit pasi kaluan Vijën e Kontrollit Kufitar të Kashmirit hynë në rajonin e Xhamu Kashmirit të Indisë dhe u parandaluan nga avionët e Indisë.

India informoi më herët për kryerjen e një sulmi ajror ndaj kampit të organizatës Xhejsh-i Muhammed në anën e Pakistanit.

– Mbyllet hapësira ajrore

Pakistani ka mbyllur të gjithë hapësirën ajrore pas tensioneve me Indinë. 

Në deklaratën e publikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Pakistanit, është bërë e ditur se vendi ka mbyllur hapësirën ajrore për të gjitha fluturimet. 

Ndërsa India njoftoi se ka ndaluar fluturimet nga aeroportet Srinagar, Xhamu dhe Leh të rajonit Xhamu Kashmir, nga Çandigarh qendra e përbashkët e provincave Haryana dhe Penxhap, si dhe nga aeroporti Amritsar në provincën Penxhap. 

Sipas lajmeve në shtypin e rajonit thuhet se avionët civilë që do të përdorin hapësirën ajrore të Pakistanit dhe Indisë, ose janë kthyer në aeroportet prej ku kanë ardhur ose janë drejtuar kah rutat alternative. 

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit filluan të rriten para dy javësh. 

Në sulmin e ndërmarrë ndaj autoklonës paramilitare më 14 shkurt në pjesën e Kashmirit që është nën kontrollin e Indisë humbën jetën 44 ushtarë indianë dhe u plagosën 20 të tjerë, ku qeveria indiane akuzoi Pakistanin në lidhje me këtë sulm. Ndërsa Pakistani hodhi poshtë këto pretendime dhe përmes një deklarate dënoi këtë sulm. 

India më 26 shkurt zhvilloi sulm ajror ndaj kampit të organizatës Xhejsh-i Muhammed në anën pakistaneze të Linjës së Kontrollit të Kashmirit. 

Exit mobile version