Opozita në Shqipëri vazhdon protestat antiqeveritare, ndërkohë që sot është mbajtur protesta e radhës, e cila është shoqëruar me tensione, përfshirë hedhjen e molotovëve nga protestuesit dhe gazit lotsjellës nga policia, raporton Anadolu.
Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, ka organizuar protestën e radhës kombëtare, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë ndaj selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërkohë policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë.
Molotovë janë hedhur nga protestuesit edhe ndaj selive të disa ministrive dhe institucioneve të tjera, ndërkohë protestuesit kanë marshuar në disa nga rrugët e kryeqytetit, duke djegur edhe disa automjete të policisë.
Pjesë e protestës, në të cilën nuk u mbajtën fjalime, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të opozitës.
Për protestën u angazhuan qindra forca policore shtesë, ndërkohë u bllokuan edhe disa akse rrugore.
Në muajt e fundit, në Shqipëri janë organizuar protesta antiqeveritare, ndërkohë, partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.
Sipas PD-së, opozitës i është mohuar në muajit e fundit fjala në parlament dhe, sipas saj, protesta bëhet edhe kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
