Një tërmet me magnitudë 7,4 ballë goditi sot Detin Molucca verior në Indonezinë lindore, ku si pasojë një person humbi jetën ndërsa shkaktoi paralajmërime për cunami në disa pjesë të rajonit, transmeton Anadolu.
Vdekja u raportua në Manado, sipas Antara News. Metro TV i Indonezisë tha se personi humbi jetën nga rrënojat e rëna ndërsa pamjet tregojnë ndërtesa të dëmtuara në zonë.
Sistemi i Paralajmërimit të Cunamit i SHBA-së tha se valët janë të mundshme brenda 1.000 kilometrave nga epiqendra, duke ndikuar potencialisht në brigjet e Indonezisë, Filipineve dhe Malajzisë.
Tërmeti goditi në një thellësi prej 35 kilometrash me epiqendrën e tij rreth 127 kilometra në perëndim-veriperëndim të Ternate, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Qyteti ka një popullsi prej më shumë se 200 mijë banorësh.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive të Indonezisë, Abdul Muhari tha se ekipet në Manado dhe Bitung në Sulawesi-n e Veriut si dhe Ternate në Maluku-n e Veriut, po inspektojnë ndërtesat dhe po kontrollojnë për viktima të tjera.
“Ne ende po mbledhim të dhëna për të konfirmuar numrin e viktimave dhe dëmet në secilin vend”, tha Muhari për ABC News të Australisë.
“Ka patur raportime të mëparshme për viktima nga Agjencia Rajonale e Menaxhimit të Fatkeqësive, por do të japim detaje të përditësuara më vonë në lidhje me shifrat e sakta. Ekipet tona ende po punojnë në terren”, tha ai.
Një banore në Manado tha se njerëzit ikën nga shtëpitë e tyre në panik. Edhe pse nuk kishte dëme të dukshme në lagjen e saj, sendet ranë nga raftet dhe energjia elektrike u ndërpre.
Autoritetet në disa zona, përfshirë Ternate dhe Tidore, pjesë e ishujve historikë të Erëzave, i nxitën banorët të përgatiten për evakuim të mundshëm.
Indonezia shtrihet përgjatë “Unazës së Zjarrtë të Paqësorit”, një zonë sizmikisht aktive ku takohen pllakat tektonike, duke shkaktuar tërmete të shpeshta dhe aktivitet vullkanik.
