Gjiganti i automobilave elektrikë, Tesla, ka ulur cakun për prodhim në fabrikën e vet në Gjermani, në 4350 njësi në javë në muajt e verës, korrik e gusht, pasi pati arritur kulmin prej 5 mijë njësish në javë në mars. Madje kompania planifikon ta reduktojë edhe më shumë numrin e njësive të prodhuara, sipas një dokumenti të cituar nga “Business Insider”.
Prodhuesi amerikan ishte lavdëruar në Twitter se në fund të muajit mars ka prodhuar pesë mijë vetura në javë në fabrikën në Gruenheide afër Berlinit, por punëtorët e kompanisë kanë thënë se kjo ishte vetëm një herë, dhe se çdo javë ka qenë me shifra më të ulëta.
Tesla në qershor pati lajmëruar se po punëson më pak punëtorë të përkohshëm se në fillim sepse nuk i duheshin më shumë pasi që prodhimi po shkonte sipas planeve.
“Business Insider” ka thënë se prodhuesi ka ulur caqet e punës në korrik e gusht në 870 vetura për ditë, por se as ky cak s’është arritur dhe janë prodhuar nga 692 vetura në ditë.
Tesla s’i ka komentuar raportimet.
Ka një kohë që Tesla ka nisur të hasë në telashe në tregjet botërore. Prodhuesi ka ulur çmimet në disa raste në Amerikë, Kinë e tregjet tjera, si dhe ka ofruar pako të ndryshme teksa përpiqet të sigurojë hapësirë në disa vende.
Tesla pati njoftuar në korrik se planifikon që fabrikën në Gjermani ta zgjerojë për prodhim deri në një milion vetura në vit, por s’ka treguar se kur mund të ndodhë kjo. /koha
