Teuhidi është tipari i parë i jetës shpirtërore në Islam, dhe njëkohësisht edhe themeli i saj i parë. Nuk mund të ketë jetë shpirtërore pa teuhid, dhe as nuk ka dallueshmëri për të pa teuhid.
Kuptimi i teuhidit është: veçimi i Allahut të Lartësuar në adhurim dhe në kërkimin e ndihmës; pra të mos adhurohet askush përveç Allahut dhe të mos kërkohet ndihmë veçse prej Tij. Kjo është edhe domethënia e fjalës së Tij të Madhëruar: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë”[1] Ky është ajeti që Allahu e bëri boshtin e hapjes së Librit dhe Nënës së Kuranit, dhe që imam El-Heravi e bëri qendër të veprës së tij “Menazilus-sairin ila mekamati”: Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë”, të cilën e ka shpjeguar imam Ibn Kajjim në “Medarixhus-salikin”.
Adhurimi është një kuptim i përbërë nga dy elemente: kulmi i nënshtrimit ndaj të adhuruarit, së bashku me kulmin e dashurisë për të, siç e kemi shpjeguar në librin tonë “Adhurimi në Islam”. Ai është qëllimi për të cilin janë krijuar të gjitha krijesat e ngarkuara me përgjegjësi: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë”[2] Kurani ka sqaruar se të gjithë profetët janë dërguar te popujt e tyre me mesazhin e teuhidit: “Adhuroni Allahun, nuk keni zot tjetër përveç Tij!”[3] dhe për t’i çliruar ata nga adhurimi i tagutit, çfarëdo qoftë ai emër, formë apo shfaqje: “Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar që t’u thonë: Adhuroni Allahun dhe largohuni tagutit!”[4]
Ky tagut mund të jetë njeri ose xhin i fshehur nga sytë, mund të jetë kafshë si lopë apo viç, mund të jetë forcë natyrore, mund të jetë gur i gdhendur e pastaj i adhuruar, mund të jetë edhe shejtan i mallkuar, madje mund të jetë edhe një profet i nderuar apo një njeri i mirë, edhe pse ata nuk kanë asnjë faj nëse njerëzit i adhurojnë.
Islami erdhi për t’i çliruar njerëzit nga adhurimi i çdo gjëje përveç Allahut: adhurimi i personave, i sendeve dhe i epsheve. Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Më i keqi zot që është adhuruar në tokë është epshi.” Thirrja e Profetit (a.s) drejtuar mbretërve të të krishterëve dhe njerëzve të Librit përmbyllej me këtë ajet fisnik: “Thuaj: O njerëz të Librit! Ejani te një fjalë e përbashkët mes nesh dhe jush: të mos adhurojmë askënd përveç Allahut dhe të mos i shoqërojmë Atij asgjë dhe të mos e marrim njëri-tjetrin për zotëra përveç Allahut…”[5] .
Ai që e ka prishur jetën dhe ka devijuar njerëzit nuk është thjesht ateizmi, sepse mohuesit e ekzistencës së Zotit kanë qenë pak gjatë historisë; por është shirku, i cili i ka bërë njerëzit të adhurojnë me Allahun zota të tjerë duke pretenduar se ata janë ndërmjetësues tek Ai. Shirku është bërë vatër e fallit, mashtrimit, bestytnive dhe poshtërimit të njeriut nga lartësia e dinjitetit në humnerën e degradimit: “… dhe kush i bën shirk Allahut është sikur të ketë rënë nga qielli, e pastaj e rrëmben zogu ose era e hedh në një vend të largët.”[6]
Jeta shpirtërore siç e synon Islami bazohet në teuhidin e pastër për Allahun. Ky teuhid përfshin katër elemente, të cilat i ka përmendur sureja En’am, e cila quhet sureja e teuhidit:
Së pari: të mos kërkohet tjetër Zot përveç Allahut: “A mos vallë të kërkoj zot tjetër përveç Allahut, kur Ai është Zot i çdo gjëje?”[7]
Së dyti: të mos merret tjetër për mik përveç Allahut: “A mos vallë të marr mik tjetër përveç Allahut, Krijuesit të qiejve dhe tokës?”[8]
Së treti: të mos kërkohet gjykim përveç Allahut: “A mos vallë të kërkoj gjykatës tjetër përveç Allahut, ndërkohë që Ai ju ka zbritur Librin të shpjeguar hollësisht?”[9]
Së katërti: të mos synohet tjetër qëllim përveç kënaqësisë së Allahut: “Thuaj: Namazi im, adhurimi im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.”[10]
Kur këto elemente plotësohen në njohuri[11], gjendjen e brendshme[12] dhe vepër[13], atëherë realizohet teuhidi, i cili është themeli i jetës shpirtërore dhe vetë shpirti i gjithë ekzistencës islame.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Fatiha: 5.
[2] – Sure Dharijat: 56.
[3] – Sure A’raf: 59.
[4] – Sure Nahl: 36.
[5] – Sure Ali Imran: 64.
[6] – Sure Haxh: 31.
[7] – Sure En’am: 164.
[8] – Sure En’am: 14.
[9] – Sure En’am: 114.
[10] – Sure En’am: 162.
[11] – d.m.th. në njohjen e Allahut, emrat dhe cilësitë e Tij. Sh.pk.
[12] – d.m.th. frika ndaj Allahut, shpresa tek Ai, mbështetja tek Ai…etj. Sh.pk.
[13] – d.m.th. në faljen e namazit, agjërimit…etj. Sh.pk.
