Ballina Lajmet Kosovë Thaçi: Të bashkohemi në luftën kundër trafikimit me njerëz

Thaçi: Të bashkohemi në luftën kundër trafikimit me njerëz

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Sipas një njoftimi të Presidencës, Thaçi ka theksuar se shumë njerëz anembanë botës janë duke u përballur me këtë fenomen të turpshëm dhe as Kosova nuk është e përjashtuar prej tij.

“Ky fenomen duhet të parandalohet përmes veprimeve dhe masave konkrete”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është momenti i duhur që të gjithë të bashkohemi, që të parandalojmë dhe luftojmë këtë krim, në të gjitha format e tij dhe njëkohësisht të bëjmë më shumë për mbrojtjen e viktimave të trafikuara.

Për të pasur sukses në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz, si dhe në sigurimin e ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara, presidenti Thaçi ka thënë se patjetër që nevojitet një bashkëpunim i të gjithë mekanizmave dhe autoriteteve në nivelin shtetëror.

“Republika e Kosovës nuk mund dhe nuk do të qëndrojë e heshtur në luftimin e trafikimit me njerëz. Trafikimi me njerëz është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e të gjithëve”, ka shtuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, është përgjegjësi e çdo institucioni dhe çdo personi në Kosovë, që të angazhohet për t’i dhënë fund trafikimit me njerëz në të gjitha format e tij.

Presidenti Thaçi ka potencuar se autoritetet kompetente për parandalimin dhe luftimin e trafikimit më njerëz, si dhe ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara, duhet të veprojnë për ta parandaluar trafikimin, duke denoncuar dhe burgosur trafikantët e sidomos për të ndihmuar e mbrojtur viktimat.

“Sukses të plotë në luftën ndaj trafikimit me njerëz nuk mund të kemi pa mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithë shoqërisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Parandalimi dhe luftimi efikas i kësaj dukurie negative, presidenti Thaçi ka thënë se na ndihmon shumë që ta bëjmë Republikën e Kosovës një shtet me imazh të lartë në opinionin ndërkombëtar, ku nuk do të ketë hapësirë për trafikim me njerëz dhe ku respektohet dinjiteti i njeriut.

Pjesë e kësaj konference të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, përveç presidentit Thaçi dhe ministrit Skënder Hyseni, i cili ishte nikoqir, pjesëmarrës ishin edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadori amerikan Greg Delawie, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ai i punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, etj.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe një numër i madh i përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile që japin kontribut të vazhdueshëm në luftimin e kësaj dukurie negative.

Exit mobile version