Ballina Artikuj Thashethemexhiu

Thashethemexhiu

Allahu i Madhëruar thotë: “Mos iu bind asnjë përbetuesi të përçmuar, shpifësit që përhap thashetheme!”[1] Komentuesit e Kuranit kanë thënë se ky ajet ka zbritur për Velid ibn Mugiren. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe gruaja e tij, që mbart dru.”[2] Është thënë se me këtë cilësim nënkuptohet një grua që përhap thashetheme dhe bart fjalë nga njëri te tjetri.

Transmetohet nga Hudhejfeja (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Përhapësi i thashethemeve nuk do të hyjë në Xhenet.”[3]

Transmetohet nga Ibn Abasi (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Banorët e këtyre dy varreve po ndëshkohen, por nuk po ndëshkohen për diçka që ata e konsideronin të rëndë. Njëri prej tyre përhapte fjalë nga njëri te tjetri, ndërsa tjetri nuk ruhej nga ndotja me urinën e tij.”[4]

Disa dijetarë kanë thënë se shprehja “nuk po ndëshkohen për diçka që konsiderohej e rëndë” nënkupton se ata nuk e konsideronin atë vepër si diçka të rëndë. Sipas një shpjegimi tjetër, ajo nënkupton se ishte e rëndë për ta shmangur.

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “A t’ju tregoj se cilët janë njerëzit më të këqij ndër ju?” Ata thanë: “Po.” Ai tha: “Ata që shkojnë gjithandej duke përhapur thashetheme, që përçajnë njerëzit e afërt dhe që kërkojnë t’u shkaktojnë vështirësi njerëzve të pafajshëm.”[5]

Transmetohet nga Ibn Mes’udi (r.a) se ka thënë: “A t’ju tregoj se çfarë është el-ad’h? Ajo është përhapja e fjalëve dhe thashethemeve mes njerëzve.”[6]

Kuptimi i thashethemeve dhe motivet që qëndrojnë pas tyre

Kuptimi i thashethemeve (nemime) është përcjellja e fjalëve nga njëri person te tjetri, me qëllim që të shkaktohet përçarje dhe të nxiten armiqësia e urrejtja ndërmjet tyre.

Thashethemet janë një ves i shëmtuar, sepse nxisin trazira, ndërpresin lidhjet mes njerëzve, mbjellin urrejtje dhe përçajnë bashkësitë. Ato i shndërrojnë miqtë në armiq dhe vëllezërit në të huaj për njëri-tjetrin.

Thashethemexhiu bëhet si miza që bart mikrobet nga një vend në tjetrin.

Thashethem quhet edhe përcjellja e fjalëve të dikujt te personi për të cilin janë thënë, si për shembull: “Filani ka folur për ty kështu e ashtu”.

Megjithatë, thashethemet nuk kufizohen vetëm në këtë formë. Ato përfshijnë zbulimin e çdo gjëje që dikush nuk dëshiron të bëhet e ditur, pavarësisht nëse këtë e kundërshton personi nga i cili përcillet fjala, personi tek i cili përcillet, apo një person i tretë. Po kështu, nuk ka rëndësi nëse zbulimi bëhet përmes fjalës, shkrimit, shenjave apo gjesteve.

Prandaj, njeriu duhet të heshtë për gjithçka që vëren në gjendjen e njerëzve dhe që ata nuk dëshirojnë të bëhet e ditur, përveç rasteve kur tregimi i saj sjell ndonjë dobi për një mysliman ose ndihmon në parandalimin e një mëkati.

Sa u përket motiveve që e shtyjnë njeriun të përhapë thashetheme, ato mund të jenë: dëshira për t’i bërë keq personit për të cilin flitet, dëshira për t’i shfaqur dashuri personit të cilit i përcillet fjala, ose thjesht kënaqësia që gjen në biseda dhe në përcjelljen e fjalëve e të gjërave të pavërteta.

Detyrimet e atij që i përcillen thashethemet

Ai të cilit i përcillen thashethemet ka gjashtë detyrime:

1 – Të mos i besojë thashethemexhiut, sepse ai është njeri i shthurur (fasik). Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i shthurur ju sjell ndonjë lajm, verifikojeni mirë atë, në mënyrë që të mos i bëni keq ndonjë populli pa e ditur të vërtetën.”[7]

2 – Ta ndalojë nga kjo vepër, ta këshillojë dhe t’ia bëjë të qartë shëmtinë e veprimit të tij.

3 – Ta urrejë për hir të Allahut, sepse ai është i urryer tek Allahu.

4 – Të mos krijojë mendim të keq për vëllanë e tij që mungon, duke u mbështetur në fjalët e Allahut të Madhëruar: “Largohuni nga shumë dyshime, sepse disa dyshime janë gjynah.”[8]

5 – Të mos e shtyjnë fjalët që ka dëgjuar të përgjojë apo të hetojë, me qëllim që të verifikojë vërtetësinë e tyre, duke u mbështetur në fjalët e Allahut të Madhëruar: “Dhe mos përgjoni njëri-tjetrin!”[9]

6 – Të mos bëjë vetë atë që ia ka ndaluar thashethemexhiut dhe të mos i përcjellë më tej thashethemet e tij, sepse kështu do të bëhej edhe vetë përhapës thashethemesh, edhe përgojues.

Prandaj, ata që kanë gjuhë të mprehtë, le t’i frikësohen Allahut dhe të mos flasin veçse për atë që është e mirë për krijesat e Allahut. Për këtë u mjafton fjala e Profetit (a.s): “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose të heshtë!”[10]

Citate që dënojnë përhapjen e thashethemeve

Hasani ka thënë: “Kush të përcjell fjalët e të tjerëve, do t’ua përcjellë edhe të tjerëve fjalët e tua.”

Një burrë i tha Amër ibn Ubejdit: “Es-Sevari vazhdimisht të përmend në ligjëratat e tij duke folur keq për ty.” Amri iu përgjigj: “O ti, nuk e ke respektuar të drejtën e shoqërimit me atë njeri, pasi na përcolle fjalët e tij. Po ashtu, nuk e ke respektuar as të drejtën time, pasi më njoftove për vëllanë tim diçka që nuk dëshiroj ta dëgjoj. Por, bëji të ditur atij se vdekja do të na përfshijë të gjithëve, varri do të na mbajë të gjithëve dhe Dita e Kiametit do të na mbledhë të gjithëve. Atëherë Allahu i Madhëruar do të gjykojë mes nesh, e Ai është Gjykatësi më i mirë.”

Transmetohet se Sulejman ibn Abdulmeliku ishte ulur në një kuvend, ku ndodhej edhe Zuhriu. Në atë çast erdhi një burrë dhe Sulejmani i tha: “Më ka mbërritur lajmi se ti ke folur kundër meje dhe ke thënë kështu e kështu.” Burri u përgjigj: “Nuk e kam bërë këtë dhe nuk i kam thënë ato fjalë.” Sulejmani tha: “Ai që ma ka përcjellë këtë lajm është i besueshëm.” Atëherë Zuhriu i tha: “Përhapësi i thashethemeve nuk mund të jetë i besueshëm.” Sulejmani tha: “Të vërtetën the.” Pastaj iu drejtua burrit: “Shko i qetë!”

Disa dijetarë kanë thënë: “Edhe nëse ajo që të ka përcjellë thashethemexhiu është e vërtetë, ai është pikërisht personi që ka guxuar të të fyejë duke t’i përcjellë ato fjalë, ndërsa personi për të cilin janë thënë fjalët është më i denjë për tolerancën dhe butësinë tënde, sepse ai nuk të është drejtuar ty me fyerje.”

Transmetohet se një burrë hyri tek Omeri ibn Abdulazizi dhe i përcolli një lajm denoncues për një person tjetër. Omeri i tha: “Nëse dëshiron, mund ta verifikojmë këtë çështje për të cilën po flet dhe të shqyrtojmë atë që ia ke atribuar atij. Nëse je gënjeshtar, atëherë ti bën pjesë në kategorinë e njerëzve për të cilët Allahu thotë: “Nëse ndonjë njeri i shthurur ju sjell ndonjë lajm, verifikojeni mirë atë!”[11] Por, nëse je i sinqertë, atëherë ti bën pjesë në kategorinë e njerëzve për të cilët Allahu thotë: “Shpifës, që shkon gjithandej duke përhapur thashetheme.”[12] E nëse dëshiron, mund të të falim.” Burri tha: “Zgjedh faljen, o prijësi i besimtarëve. Nuk do ta përsëris më kurrë këtë veprim.”

Burimi: islamweb.net

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Kalem: 10 – 11.

[2] – Sure Mesed: 4.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Ahmedi.

[6] – Muslimi.

[7] – Sure Huxhurat: 6.

[8] – Sure Huxhurat: 12.

[9] – Sure Huxhurat: 12.

[10] – Buhariu dhe Muslimi.

[11] – Sure Huxhurat: 6.

[12] – Sure Kalem: 11.

Exit mobile version