Ballina Lajmet Rajon dhe Botë The Economist: Rivaliteti i ri i madh në Lindjen e Mesme

The Economist: Rivaliteti i ri i madh në Lindjen e Mesme

Përplasja mes Turqisë dhe Izraelit që po thellohet ditë pas dite

Prej vitesh, zyrtarët turq dhe ata izraelitë nuk i kanë kursyer kërcënimet dhe fyerjet ndaj njëri-tjetrit. Kjo retorikë është ashpërsuar edhe më tej që nga shpërthimi i luftës në Gaza në vitin 2023, por tashmë situata duket se po del krejtësisht nga kontrolli. Politikanët izraelitë sot e vendosin Turqinë në të njëjtën peshore me Iranin. Më 23 qershor, një ministër izraelit deklaroi se Turqia, së bashku me Sirinë, ka zëvendësuar Iranin si kërcënimi më i madh për vendin e tij. Izraeli e ngriti edhe më tej shkallën e tensionit më 28 qershor, kur njohu zyrtarisht gjenocidin ndaj popullit armen të kryer nga Perandoria Osmane në vitin 1915 — një ngjarje që Turqia refuzon ta njohë si krim guerre, e jo më si gjenocid.

Nga ana e tij, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e ka akuzuar gjithashtu Izraelin për gjenocid në Gaza, ndërsa së fundmi deklaroi se bombardimet izraelite në Siri dhe Liban përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Turqisë. Ndërkaq, në fillim të qershorit, ministri i tij i Brendshëm shkoi deri atje sa të shprehte dëshirën për t’u bërë guvernator i Jeruzalemit, sapo qyteti të kalonte sërish nën kontrollin turk — duke kujtuar se Perandoria Osmane e sundoi Jeruzalemin dhe Palestinën për katër shekuj me radhë, deri në vitin 1917.

Pjesa më e madhe e kësaj retorike bëhet për konsum të brendshëm politik. Kryeministri izraelit, Binyamin Netanyahu, i cili përballet me zgjedhjet në tetor, dëshiron të mbajë gjallë narrativën e një Izraeli të rrethuar nga armiqtë, për të arsyetuar nevojën e një udhëheqësi të fortë — domethënë të vetë atij. Nga ana tjetër, Presidenti Erdoğan, i cili mund t’i avancojë zgjedhjet e parashikuara për vitin 2028, ka nevojë për një “armik të jashtëm” për të larguar vëmendjen e publikut nga inflacioni prej 30% dhe normat e larta të interesit.

Megjithatë, frika nga rrethimi është reale te të dyja palët. Izraeli sheh me shqetësim praninë ushtarake të Turqisë në Siri dhe aleancat e saj ushtarake në rritje me Egjiptin, Pakistanin dhe Arabinë Saudite. Turqia, nga ana e saj, vë në dukje luftërat e Izraelit në Gaza, Iran e Liban, si dhe bashkëpunimin e tij me kryengritësit kurdë. Bërësit e politikave turke e shohin Izraelin si pengesë në “çdo dosje të vetme rajonale ku ata janë të përfshirë”, thotë Asli Aydintasbas nga instituti amerikan Brookings Institution. Për momentin, rreziku i një përplasjeje të drejtpërdrejtë mbetet i largët, por ai nuk është më i papërfillshëm.

Loja e interesave dhe frika nga ndryshimet

Lufta e Izraelit me Iranin është vetëm shkaku më i fundit i alarmit për Ankaranë. Turqia i ka kundërshtuar prej kohësh ndërhyrjet ushtarake atje, nga frika e kolapsit të shtetit iranian, krizave të reja të refugjatëve në kufi dhe ndërprerjes së tregtisë e furnizimit me energji. Por mbi të gjitha, ajo druhet se regjimi i Teheranit, me të cilin ruan marrëdhënie korrekte, mund të zëvendësohet nga një pushtet miqësor me Izraelin.

Turqia irritohet po ashtu nga mbështetja izraelite për grupet e armatosura kurde në Siri, Iran dhe Irak. Planet e SHBA-së dhe Izraelit për të përfshirë luftëtarët kurdë në konflikt konfirmuan frikën më të madhe të Ankarasë. Thuhet se ishte pikërisht ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Erdoganit ajo që e bindi Donald Trump-in ta linte mënjanë këtë ide.

Një tjetër pikë e nxehtë është bashkëpunimi ushtarak i Izraelit me Greqinë dhe Qipron, i konceptuar për të frenuar ndikimin e Turqisë në Mesdheun Lindor. Të tria vendet kanë dendësuar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, stërvitjet detare e ajrore, si dhe planet për mbrojtjen e platformave të gazit. Vitet e fundit, Izraeli ra dakord t’i ofrojë Athinës lëshues artilerie me raketa precize dhe Nikozisë sisteme të mbrojtjes ajrore. Ndërkaq, Turqia po ngulmon në pretendimet e saj mbi ujërat e kontestuara detare dhe fushat e gazit nëntokësor.

Në Tel Aviv, pakënaqësia ndaj mbështetjes turke për Hamasin është e hershme. Por së fundmi, shqetësimi kryesor izraelit lidhet me rolin e Turqisë në Siri. Lëvizja e Ahmed al-Sharaa mori drejtimin e një vendi të shkatërruar nga lufta. E dobët ushtarakisht, qeveria e tij është përpjekur të mos e provokojë Izraelin. Megjithatë, shumë zyrtarë izraelitë e shohin Sirinë si një “bombë me kurdisje” të kontrolluar nga udhëheqësit turq, të cilët gëzojnë ndikim të madh mbi regjimin e Sharaa-s, një ish-komandant i al-Qaedas.

Tensionet rreth Sirisë janë zbutur që nga viti 2025, por potenciali për konflikt mbetet i lartë. Të dyja vendet kanë sfera rivale ndikimi: Turqia mban trupa në veri, ndërsa Izraeli në jug. Ndërkaq, objektivat e tyre janë krejtësisht të kundërta: Ankaraja kërkon një shtet të fortë sirian, ndërsa Izraeli preferon një Siri të dobët. Izraeli ka kryer qindra sulme kundër objektivave ushtarake siriane, përfshirë baza ajrore që parashikoheshin t’i kalonin në përdorim Turqisë. Vetëm komunikimi i vazhdueshëm mes agjencive të inteligjencës dhe ushtrive ka parandaluar deri tani që trupat turke dhe ato izraelite të përplasen drejtpërdrejt.

Faktori Trump dhe prapaskenat e F-35

Lufta në Iran e ka fuqizuar pozitën gjeopolitike të Turqisë. Ajo konsolidoi rolin e saj si ndërmjetëse mes Uashingtonit dhe Teheranit, përmirësoi pozicionin brenda NATO-s dhe arriti të ruajë marrëdhënie të mira me Presidentin Trump, me gjithë refuzimin për të mbështetur luftën e tij. Për t’u mbrojtur nga kërcënimet e mundshme nga Irani apo Izraeli, Turqia po forcon lidhjet me fuqitë e tjera rajonale. Bisedimet për një pakt rajonal sigurie me Egjiptin, Pakistanin dhe Arabinë Saudite kanë marrë hov të madh gjatë vitit të kaluar.

Në krahun tjetër, Izraeli nuk i ka arritur objektivat e tij në Iran. Netanyahu e sheh me xhelozi afërsinë e Trump-it me Erdoganin dhe gatishmërinë e SHBA-së për të bashkëpunuar me Turqinë në rajon, veçanërisht në Siri. Sugjerimet e përsëritura të Trump-it që qeveria siriane të marrë përsipër luftën kundër Hizbullahut po interpretohen në Tel Aviv si futje e Turqisë nga dera e pasme. Ndihmësit e Netanyahut thonë se pak gjëra e zemërojnë më shumë kryeministrin sesa kur dëgjon Trump-in t’i japë meritën Erdoganit për rrëzimin e regjimit të Asadit. Netanyahu këmbëngul se ishte goditja izraelite ndaj Hizbullahut ajo që i hap rrugën revolucionit sirian.

Pikë tjetër fërkimi është përpjekja e përtëritur e Turqisë për të siguruar avionët luftarakë F-35 nga SHBA-ja (në Lindjen e Mesme, vetëm Izraeli i zotëron këta avionë ushtarakë). Uashingtoni e bllokoi shitjen në vitin 2019 pasi Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Por Trump lëshoi sinjale se mund ta ndryshojë këtë vendim. Më 24 qershor ai deklaroi se SHBA po e rishikon çështjen, duke shtuar: “Me gjasë do të bëj diçka që do ta bëjë atë shumë të lumtur,” duke iu referuar Erdoganit.

Disa analistë besojnë se çështja e F-35-ve shpjegon edhe sulmet e fundit verbale të Izraelit, ku audienca e vërtetë e Netanyahut është Kongresi amerikan. “Izraelitët e dinë se Trump po bëhet gati për një kthesë me F-35-at,” thotë Soner Cagaptay nga Washington Institute for Near East Policy, “dhe dëshirojnë ta bllokojnë atë përpara se të jetë vonë.”

E ardhme e pasigurt

Pavarësisht kësaj përplasjeje, asnjëra palë nuk i ka djegur përfundimisht urat. Turqia mban ambasadën e saj në Tel Aviv dhe Izraeli në Ankara, me gjithë tërheqjen e ambasadorëve në vitin 2023. Edhe pse Erdogani shpalli një embargo tregtare dy vjet më parë, mallrat turke vazhdojnë të arrijnë në Izrael përmes vendeve të treta ose Autoritetit Palestinez. Po ashtu, nafta nga Azerbajxhani dhe Iraku verior vazhdon të transportohet drejt Izraelit përmes portit turk të Xhejhanit (Ceyhan).

Analistët mendojnë se Turqia dhe Izraeli mund t’i sheshojnë mosmarrëveshjet pasi të përfundojë epoka e Netanyahut dhe Erdoganit. Si dy fuqi jo-arabe të rreshtuara me Perëndimin, të dyja vendet kanë shumë interesa të përbashkëta. Në vitet ’90, Turqia ishte partneri më i rëndësishëm rajonal i Izraelit.

Megjithatë, tensionet shkojnë përtej dy udhëheqësve aktualë. Izraeli e sheh Hakan Fidanin — ministrin e Jashtëm turk dhe ish-shefin e inteligjencës që shihet si pasardhës i mundshëm i Erdoganit — si një figurë me qëndrime të prera anti-izraelite dhe me lidhje të forta me Teheranin. Një analist i inteligjencës izraelite e cilësoi atë si “njeriun më të rrezikshëm për Izraelin në rajon”.

Perspektiva e një konflikti të hapur ushtarak mes aleatit më të ngushtë të Amerikës dhe armatës së dytë më të madhe të NATO-s duket e pamundur. Por vitet e fundit kanë treguar se luftërat që dikur konsideroheshin të pamendueshme mund të bëhen realitet. Dhe në këtë përplasje, pesha e pasojave është më e madhe se kurrë.

Burimi: The Economist

Exit mobile version