Ballina Lajmet Kosovë “Thirrjet e Nënave”, letër Thaçit: Na ke shtuar dhimbjet, ne po presim...

“Thirrjet e Nënave”, letër Thaçit: Na ke shtuar dhimbjet, ne po presim një grusht eshtra

Shoqata “Thirrjet e Nënave”, në Gjakovë i kanë dërguar një letët të hapur presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Sipas tyre, presidenti Thaçi e ka nëpërkëmbur fatin e personave të zhdukur nga kriminelët serbë në luftën e fundit në Kosovë dhe i ka anashkaluar nënat dhe familjarët tjerë duke ua shtuar edhe më tej dhembjen për bijtë dhe bijat e tyre të pagjetur.

“Ju e keni për obligim të mbroni qytetarët tuaj, të respektoni gjakun e derdhur për liri, të bashkëjetoni me dhembjet e nënave që presin një grusht eshtra të më të dashurve të tyre e jo të lejoni kriminelët serbë të veshur me petkun fetar dhe në bazë të kërkesës së Znj, Natasha Kandiq, ti lejoni kriminelët serbë që më 28 gusht 2018, të kthehen në qytetin ku kanë bërë krime.”, thuhet në këtë letër.

Letra e tyre e plotë:

LETËR E HAPUR, PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z. HASHIM THAQI

I nderuari President, Z. Thaqi,

Shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë ju dërgon këtë letër te hapur për faktin se ju e keni nëpërkëmbur fatin e personave të zhdukur nga kriminelët serbë në luftën e fundit në Kosovë dhe i keni anashkaluar nënat dhe familjarët tjerë duke ua shtuar edhe më tej dhembjen për bijtë dhe bijat e tyre të pagjetur e që cilësohen ende si pengje të Serbisë.

Ju e keni për obligim të mbroni qytetarët tuaj, të respektoni gjakun e derdhur për liri, të bashkëjetoni me dhembjet e nënave që presin një grusht eshtra të më të dashurve të tyre e jo të lejoni kriminelët serbë të veshur me petkun fetar dhe në bazë të kërkesës së Znj, Natasha Kandiq, ti lejoni kriminelët serbë që më 28 gusht 2018, të kthehen në qytetin ku kanë bërë krime.

Ne nuk do të pajtohemi kurrë dhe kërkojmë që ju vet ti ndaloni hyrjen kriminelëve e jo ata të shëtisin të lirë dhe të luajnë me fatin tonë.

Gjakova ka dhënë aq shumë dhe po vuan ende aq shumë sa ju nga Prishtina as që mund ta paramendoni një gjë të tillë.

Dhembja për mungesën e njerëzve tonë na mban në pritje dhe shpresë dhe në vend se të na kthehen eshtrat ju lejoni të manifestojnë kriminelët sërish në qytetin tonë në zemrën e Gjakovës.

Ju lutem ta ndërpritni këtë lojë politike dhe të kryeni obligimet tuaja kushtetuese ndaj qytetarëve e jo të na sillni dhembje të reja në plagët e vjetra!

Exit mobile version