Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 vjet burgim të pandehurin Slagjan Trajkoviq, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Në aktakuzën për krime lufte kundër popullatës civile të ngritur ndaj Slagjan Trajkoviq, me nacionalitet serb, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, thuhet se ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe depërtim të mijëra civilëve shqiptarë.
Siç përshkruhet në aktakuzë, në mesditën e 6 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe Trajkoviqi, kanë marrë urdhra duke rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë, e pastaj kanë filluar ofensivën duke sulmuar fshatin, duke djegur shtëpi dhe vrarë civilë.
Në këtë ditë, forcat serbe kanë vrarë nëntë anëtarë të familjes Ujkani, ku pas vrasjes, trupat e tyre janë djegur bashkë me shtëpitë.
Më tej thuhet se më datë 22 maj të po të njëjtit vit, te varrezat e qytetit të Vushtrrisë, forcat serbe kanë tubuar rreth 20 deri në 40 mijë banorë civilë, i kanë urdhëruar të ulen në tokë e më pas i kanë rrahur me shkopinj të drurit. Më pas shumë prej banorëve civilë ngarkohen në kamionë dhe dërgohen në burgun e Smrekonicës. Në të njëjtën ditë, 72 civilë janë ekzekutuar, ndërsa të dërguarit në burg janë marrë në pyetje, duke i torturuar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore, e më pas dërgohen në drejtim të Shqipërisë.
