Ballina Lajmet Kosovë Tre persona ndalohen për korrupsion në Prishtinë, një tjetër lirohet në procedurë...

Tre persona ndalohen për korrupsion në Prishtinë, një tjetër lirohet në procedurë të rregullt

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda – Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Të dyshuarit me inicialet A.F. dhe G.M., nga Autoshkolla “STOP”, si dhe M.TH., nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Fushë Kosovë, janë ndaluar për 48 orë, ndërsa e dyshuara A.A., nga e njëjta degë e Kryqit të Kuq, është liruar në procedurë të rregullt.

Ky veprim është realizuar në bashkëpunim me hetuesit policorë të Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK, në vazhdimësi të një rasti ku më herët ishin arrestuar një instruktor i autoshkollës dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për parandalimin e këtyre veprave dhe për sjelljen para drejtësisë të personave të dyshuar.

Exit mobile version