Ballina Lajmet Kosovë Haxhiu: Kërkesa e Prokurorisë, orvatje për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një...

Haxhiu: Kërkesa e Prokurorisë, orvatje për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënim me nga 45 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së është orvatje për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj luftës çlirimtare.

Ajo ka thënë se në Kosovë janë kryer krime lufte nga Serbia, e cila siç ka thënë Haxhiu nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze.

“Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare. Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj. Këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se kërkesa për një dënim të tillë është tendecë për mohuar luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës.

“Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, ka reaguar Haxhiu.

Exit mobile version