Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se 10 pengje izraelite që mbahen në Gaza do të lirohen së shpejti, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Deklarata u bë të premten mbrëma gjatë një darke me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump foli për përparimet e të dërguarit të tij të posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në ndërmjetësimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
“Ne kemi kthyer shumicën e pengjeve. Do të kemi edhe 10 të tjerë shumë shpejt dhe shpresojmë ta përfundojmë këtë proces sa më parë,” tha Trump.
Gjatë javëve të fundit, Trump ka pohuar disa herë se një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi i pengjeve është afër, por deri më tani nuk ka pasur zhvillime konkrete. /mesazhi
