Kleriku amerikan, kundër gjestit të kolegëve të tij katolikë
Sikurse e ka theksuar disa herë Konferenca Ipeshkvnore e Shteteve të Bashkuara, asnjë parti politike nuk mund të përfaqësojë plotësisht të gjithë dotrinën e Kishës Katolike.
Për këtë arsye, mbështetja e hapur e klerikëve për një parti apo politikan jo vetëm që mund të shkaktojë përçarje, por është edhe e gabuar. Kështu shprehet jezuiti, atë James Martin, një nga figurat më të njohura të revistës “America”, i cili është thirrur në Vatikan për të kontribuar në Dikasterin për Komunikimin dhe në Sinodin e Ipeshkvijve.
Episkopati amerikan është distancuar nga fotografia e presidentit Donald Trump duke u lutur në Zyrën Ovale, i rrethuar nga prelatë dhe besimtarë katolikë. Kjo nuk është një nismë e organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shteteve të Bashkuara, ka sqaruar ai.
Videoja, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, e paraqet Trumpin të ulur në tryezën e tij të punës, i rrethuar nga disa ipeshkvij. Në plan të parë shfaqet njëri prej tyre, i cili i vendos dorën mbi shpatull presidentit dhe lutet me zë të lartë. Në përshkrimin e publikuar në rrjetet sociale zyrtare thuhet se kryeipeshkvij dhe ipeshkvij katolikë po luten së bashku me presidentin Trump në Zyrën Ovale. Në takim ishin të pranishëm edhe kryeipeshkvijtë e Denverit, Miluokit dhe Kansas City-t.
Në apelet e vazhdueshme publike ndaj Zotit nga ana e Trump, ka më shumë propagandë apo blasfemi?
Do të duhej të shqyrtoheshin të gjitha deklaratat publike që janë bërë. Por një gjë është të lutesh që presidenti të marrë vendime të urta dhe krejt tjetër të pretendosh se Zoti e ka zgjedhur ose vajosur atë, apo se Zoti është në anën e tij.
Këtu lind natyrshëm një pyetje: çfarë do të thotë kjo për njerëzit e pafajshëm që janë vrarë në luftërat e zhvilluara nga vendi ynë? A e paska dashur Zoti vdekjen e tyre, meqë qenka në anën tonë? Në të vërtetë, Zoti është në anën e të gjithëve, por nuk mban anën e askujt.
A po e përdor Trumpi fenë si instrument për të konsoliduar pushtetin?
Pavarësisht nga feja apo bashkësia fetare e përfshirë, ekziston gjithmonë rreziku që politikanët ose partitë politike ta përdorin fenë dhe besimin në përgjithësi për interesat e tyre.
Sa herë që një figurë fetare shfaqet përkrah një politikani, mund të krijohet përshtypja se po i jep mbështetjen e saj. Ndonjëherë kjo është e pashmangshme. Për shembull, kur një ipeshkv ftohet në një aktivitet të caktuar ku marrin pjesë politikanë, fotografitë mund të interpretohen si një miratim i tyre.
A po përdoret besimi si armë politike?
Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-së, përsërit se asnjë parti nuk mund të mishërojë plotësisht të gjithë mësimin e Kishës Katolike. Për këtë arsye, mbështetje të tilla jo vetëm që shkaktojnë përçarje, por janë edhe thellësisht të gabuara.
Feja mbetet një faktor politik në Shtetet e Bashkuara. Për rrjedhojë, për mirë apo keq, kandidatët përpiqen të dëshmojnë se janë fetarë, me synimin për të fituar vota. Kjo vlen si për politikanët praktikantë, ashtu edhe për ata që nuk janë të tillë.
Edhe politikanët ateistë ose agnostikë, ndihen në njëfarë mënyre të detyruar t’u drejtohen votuesve fetarë, duke treguar se vlerësojnë veprimtaritë bamirëse të organizuara nga bashkësitë fetare.
Për çështje si emigracioni, dënimi me vdekje dhe lufta, Shtëpia e Bardhë dhe Selia e Shenjtë qëndrojnë në pozicione të kundërta. A do të arrijë Papa t’i afrojë palët?
Shpresoj që po. Një nga temat që Papa Leoni e ka trajtuar vazhdimisht është dialogu. Edhe më qendror në qasjen e tij është theksi që ai i kushton unitetit, si rrugë drejt pajtimit.
Nëse populizmi dhe nacionalizmi janë e kundërta e ekumenizmit dhe frymës së solidaritetit që mishëron Kisha, pse shumica e katolikëve amerikanë votuan për Trump dy vjet më parë?
Është e rëndësishme të kujtojmë se katolikët në Shtetet e Bashkuara nuk votojnë si një bllok i vetëm, homogjen. Mund të flasim për votën katolike dhe për ndikimin që ipeshkvijtë amerikanë ushtrojnë, ose nuk arrijnë të ushtrojnë, mbi zgjedhjet e besimtarëve.
Por në përgjithësi, katolikët që mbështesin demokratët votojnë për kandidatët demokratë, ndërsa ata që mbështesin republikanët votojnë për kandidatët republikanë.
Edhe pse çështjet që tradicionalisht kanë rëndësi për katolikët, si lufta dhe paqja, aborti, emigrantët dhe refugjatët, zënë një vend të rëndësishëm në vendimmarrjen e tyre elektorale, votuesit katolikë mund të shqetësohen po aq edhe për çështjet ekonomike.
Për shembull, ata mund të pyesin veten se cili kandidat mund të kontribuojë jo vetëm për të mirën e përbashkët, por edhe për përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike.
Popullariteti i Trump është në rënie. A kanë ndikuar në këtë rënie edhe sulmet e tij publike ndaj një figure morale si Leoni XIV?
Nuk jam i sigurt nëse votuesit katolikë po i largohen presidentit Trump për arsye që lidhen drejtpërdrejt me besimin e tyre, siç janë sulmet e tij ndaj Papës.
Përshtypja ime është se ata po ndjekin prirjen e përgjithshme të opinionit publik amerikan për t’u distancuar nga presidenti, për shkak të paaftësisë së tij për t’i dhënë fund luftës në Iran, krizës ekonomike dhe gabimeve apo hapave të tjerë të gabuar që shumë njerëz i perceptojnë si dështime të administratës së tij.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: sulmet ndaj Papa Leonit nuk e ndihmojnë aspak presidentin Donald Trump të fitojë mbështetjen e votuesve katolikë. \tesheshi
