Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për anulimin e gjyqit për korrupsion ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e quajtur atë një “ndjekje shtrigash” dhe “përndjekje politike”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social të mërkurën, Trump shkroi:
“Gjyqi ndaj Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET MENJËHERË, ose t’i jepet falje një Heroi të Madh, i cili ka bërë aq shumë për Shtetin [e Izraelit].”
Trump e përshkroi Netanyahun si një “LUFTËTAR” për rolin e tij në luftën e fundit të Izraelit me Iranin dhe tha se ishte “i tronditur” kur mësoi se Netanyahu do të përballet me një seancë gjyqësore të hënën.
Sipas Trumpit, “Ishte Amerika që e shpëtoi Izraelin [në luftën me Iranin], dhe tani do të jetë Amerika që do ta shpëtojë Bibi Netanyahun.”
Netanyahu u akuzua në vitin 2019 nga prokurorët izraelitë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit publik, në lidhje me tri çështje penale. Gjyqi nisi në vitin 2020 dhe vazhdon ende.
Nëse shpallet fajtor për ryshfet, Netanyahu mund të përballet me deri në 10 vite burg, dhe deri në tre vjet për akuzat e tjera. Ai ka mohuar të gjitha akuzat dhe pretendon se procesi është politikisht i motivuar. /mesazhi
