Ballina Lajmet Trump mirëpret vendimin e KS-OKB-së për sanksionet ndaj Koresë së Veriut

Trump mirëpret vendimin e KS-OKB-së për sanksionet ndaj Koresë së Veriut

Njoftohet se presidenti amerikan, Donald Trump, ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për sanksione të reja kundër Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë theksohet se do të rritet presioni ekonomik dhe politik kundër aktiviteteve të Koresë së Veriut të cilat përbëjnë kërcënim dhe shkaktojnë destabilitet.

“Presidenti Trump ka mirëpritur vendimin e ri që ashpërson sanksionet kundër Koresë së Veriut si kundërpërgjigje për testimin e fundit të raketës balistike. Trump ka vlerësuar mbështetjen e Kinës dhe të Rusisë për kalimin e këtij vendimi”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Sanksionet e reja të KS-OKB-së kundër Koresë së Veriut

Anëtarët e KS-OKB-së me votën e 15 anëtarëve miratuan vendimin i cili u paraqit në këshill pasi u përgatit nga SHBA-të dhe i cili përfshin sanksione të reja kundrejt Koresë së Veriut.

Me vendimin synohet që të vendoset ndalesë për eksportet më të rëndësishme të Koresë së Veriut siç janë të ardhurat nga burimet nga qymyri, hekuri, plumbi dhe produktet e detit, si dhe pakësimin me një të tretën e të ardhurave të eksporteve të cilat janë gjithsej afërsisht 3 miliardë dollarë.

Gjithashtu me këtë vendim vendet anëtare të OKB-së ndalojnë edhe dhënien e lejeve të reja të punës për qytetarët e Koresë së Veriut, ku në këtë mënyrë do të parandalohet edhe hyrja e valutës së huaj në vend nëpërmjet qytetarëve koreano-veriorë që jetojnë jashtë vendit.

Me këtë vendim gjithashtu janë shtuar në “listën e sanksioneve të KS-OKB-së kundër Koresë së Veriut” edhe zyrtarë dhe kompani koreano-veriore ndaj të cilëve do të zbatohet ngrirja e aseteve dhe ndalimi i udhëtimi për këto persona dhe institucione.

Koreja e Veriut së fundmi me 28 korrik dhe dy herë muajin e kaluar pati njoftuar për kryerjen e testimeve raketore balistike ndërkontinentale.

Exit mobile version