Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të enjten se po planifikon të zhvillojë bisedime me Iranin, transmeton Anadolu.
“Kam pasur (biseda me Iranin në ditët e fundit) dhe po e planifikoj këtë”, u tha ai gazetarëve në Qendrën Kennedy. Trumpi përsëriti se “shumë anije të mëdha dhe shumë të fuqishme” po lundrojnë drejt Iranit tani.
“Do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim ato”, tha ai.
I pyetur se çfarë mesazhi ndau me Iranin, Trump tha: “U thashë dy gjëra: së pari, jo armë bërthamore dhe së dyti, ndaloni së vrari protestuesit”.
Më herët të enjten, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se SHBA-ja është e përgatitur të përdorë “të gjitha opsionet” për të parandaluar Iranin nga prodhimi i armëve bërthamore ndërsa shtoi se Washingtoni ende po lë hapësirë për marrëveshje diplomatike.
“Kur presidenti Trump tha se nuk do të kemi Iran bërthamor, nuk do të keni bombë bërthamore, ai e kishte me gjithë mend. Ne i dërguam ato B-2 në gjysmën e botës dhe ata nuk e vunë re. Kur ai tha se nuk do të tolerojmë më trafikimin e drogës në hemisferën tonë, ne i trajtojmë ata si Al-Kaeda e Hemisferës Perëndimore, ai e kishte me gjithë mend dhe ne po e zbatojmë atë”, tha Hegseth në një takim të kabinetit së bashku me Trumpin.
Hegseth theksoi se Pentagoni është gati të zbatojë çdo direktivë të lëshuar nga Trumpi, duke sinjalizuar se opsionet ushtarake mbeten në mënyrë të vendosur në tryezë nëse diplomacia dështon.
“Ne do të jemi të përgatitur të përmbushim çdo gjë që presidenti pret nga Departamenti i Luftës, ashtu siç bëmë këtë muaj”, tha ai duke iu referuar kapjes së presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro nga SHBA-ja më 3 janar.
Zyrtarët iranianë kanë reaguar fort ndaj kërcënimit të fundit të lëshuar nga Trumpi ndërsa një flotë ushtarake amerikane lëviz drejt ujërave iraniane mes përshkallëzimit të tensioneve midis kundërshtarëve të hershëm.
