Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin irakian, Ali al-Zaidi, duke vlerësuar fitoren e tij të fundit në zgjedhje dhe duke shprehur optimizëm për marrëdhëniet SHBA-Irak, raporton Anadolu.
“Ne kemi një kampion fantastik, një kampion të ri dhe ai i fitoi zgjedhjet në mënyrë shumë të qartë, shumë bindëse”, tha Trump gjatë takimit me kryeministrin al-Zaidi.
Trump tha se dy liderët do të disktojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe theksoi rezervat e mëdha energjetike të Irakut.
“Do të diskutojmë pak për këtë me ju, por ata kanë rezerva të jashtëzakonshme nafte”, tha ai.
Al-Zaidi mori detyrën në muajin maj, duke pasuar Mohammed Shia al-Sudanin, pas zgjedhjeve parlamentare të Irakut në muajin nëntor dhe muajsh negociatash për formimin e koalicioneve.
“Ne e duam Irakun, ky njeri sapo fitoi një zgjedhje të madhe. Ata janë shumë mirë të përfaqësuar, mund t’ju them këtë”, u tha Trump gazetarëve më herët, ndërsa mirëpriti al-Zaidin në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë takimit, Trump tha se marrëdhëniet me Irakun “kaluan nga jo aq të mira në të shkëlqyera”.
“Dhe ne do të kemi një marrëdhënie afatgjatë me Irakun. Do të kemi një marrëdhënie afatgjatë me një njeri që do të jetë një lider i madh”, tha presidenti amerikan.
“Ky njeri do të jetë një lider i madh në Lindjen e Mesme, përtej Irakut. Ndikimi i tij do të shtrihet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ne jemi shumë të kënaqur për këtë. Jemi shumë të lumtur që ju kemi me ne”, shtoi ai.
Trump tha se Iraku ka “potencial të jashtëzakonshëm” për shkak të naftës së tij.
“Ne do të bëjmë shumë marrëveshje. Do të krijojmë shumë vende pune për të dyja vendet dhe do të nxjerrim shumë naftë”, theksoi ai.
Duke folur për luftën në Irak të vitit 2003, Trump tha: “Nëse e mbani mend, edhe pse isha civil, unë gjithmonë thoja ‘Mos hyni në Irak. Mos e sulmoni Irakun’. Sinqerisht, ata sulmuan vendin e gabuar dhe shkaktuan shumë dëme”.
Trump gjithashtu tha se SHBA-ja nuk ka më nevojë për praninë ushtarake në Irak.
“Ne jemi atje për t’i ndihmuar ata. Jemi atje për t’i mbrojtur ata, nëse do të jetë e nevojshme, por nuk mendojmë se kjo do të jetë e nevojshme”, tha ai.
Al-Zaidi e falënderoi Trumpin për pritjen “e ngrohtë”.
“Më 30 shtator, forcat amerikane do të largohen nga Iraku. Ndërsa kompanitë amerikane do të jenë brenda Irakut”, tha ai.
Kryeministri irakian tha se qeveria e tij nuk do të lejojë që asnjë fraksion irakian të mbajë armë pas 30 shtatorit.
I pyetur nëse e konsideron largimin nga OPEC-u, al-Zaidi tha se Iraku ka nevojë për “një pjesë të drejtë” brenda grupit të vendeve prodhuese të naftës.