Ballina Arritje Teknologji Trump reagon ashpër pasi BE-ja e gjobiti Google

Trump reagon ashpër pasi BE-ja e gjobiti Google

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bashkimit Evropian për t’i vendosur kompanisë Google një gjobë rekord prej 3.5 miliardë dollarësh.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump e cilësoi vendimin si “të padrejtë” dhe paralajmëroi masa të forta hakmarrëse nga ana e SHBA-së.

“Sot, Evropa goditi sërish një tjetër kompani të madhe amerikane, Google, me një gjobë prej 3.5 miliardë dollarësh – duke vjedhur në mënyrë efektive para që përndryshe do të përdoreshin për investime dhe krijim vendesh pune në SHBA”, shkroi ai.

Lideri amerikan akuzoi Bashkimin Evropian për një sërë sulmesh të përsëritura ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane, duke përmendur jo vetëm Google, por edhe kompani të tjera të Silicon Valley. “Kjo është krejtësisht e padrejtë, dhe taksapaguesit amerikanë nuk do ta pranojnë këtë,” shtoi ai.

Në vijim, Trump paralajmëroi se SHBA mund të aktivizojë Seksionin 301 të ligjit tregtar amerikan – një mekanizëm që i mundëson Uashingtonit të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj vendeve që konsiderohen se po diskriminojnë bizneset amerikane.

“Ne nuk mund të lejojmë që zgjuarsia dhe inovacioni amerikan të ndëshkohen në këtë mënyrë. Nëse kjo vazhdon, unë do të jem i detyruar të nis një procedurë të Seksionit 301 për të kundërshtuar sanksionet e padrejta ndaj kompanive tona”, përfundoi 79-vjeçari.

Ky zhvillim përfaqëson një tjetër përshkallëzim në tensionet tregtare mes Uashingtonit dhe Brukselit, duke rrezikuar të shtojë më tej përçarjet në marrëdhëniet ekonomike ndëratlantike.

Exit mobile version