Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump sërish me “gisht në gojë”: kjo është fituesja e Nobelit për...

Trump sërish me “gisht në gojë”: kjo është fituesja e Nobelit për Paqe

Juristja nga Afrika e Jugut, vlerësim për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e së drejtës ndërkombëtare.

Navanethem “Navi” Pillay, juristja nga Afrika e Jugut dhe një prej figurave të njohura të drejtësisë ndërkombëtare, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2026.

Komiteti Nobel e vlerësoi për përpjekjet në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke nderuar një karrierë të gjatë në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut.

Pillay ka mbajtur disa poste të rëndësishme në institucionet ndërkombëtare, ndër të cilat atë të Komisioneres së Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga viti 2008 deri më 2014.

Emri i saj lidhet me përpjekjet për të forcuar mekanizmat ndërkombëtarë të mbrojtjes së individëve nga shkeljet e rënda, si dhe me promovimin e përgjegjësisë ligjore për krimet që cenojnë dinjitetin njerëzor.

Përmes punës së saj, Pillay është angazhuar për një rend ndërkombëtar ku drejtësia të mos mbetet vetëm një parim në letër, por të shërbejë si mburojë për njerëzit që përballen me abuzimin e pushtetit.

Në një kohë kur normat ndërkombëtare vihen gjithnjë e më shpesh në pikëpyetje dhe konfliktet e armatosura vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, vlerësimi i saj merr një domethënie të veçantë.

Për dikë që ka ndërtuar karrierën duke mbrojtur të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, Nobeli është një vlerësim i rëndësishëm. Për dikë tjetër, që e kishte shpallur veten kandidat të denjë për këtë çmim, lajmi ishte një tjetër zhgënjim.

Ndërkohë Donald Trump duhet të presë sërish. Presidenti amerikan ka pretenduar vazhdimisht se meriton Nobelin e Paqes, duke këmbëngulur se ka ndihmuar në “përfundimin e tetë luftërave” që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë.

Por pavarësisht vetëbesimit të tij, komiteti nuk u bind nga argumentet e presidentit amerikan. Madje Trump e kishte parashikuar humbjen, duke deklaruar se komiteti ka reputacionin se nuk ua jep çmimin njerëzve si ai.

Ishte një mënyrë elegante për të parapërgatitur justifikimin, në rast se trofeu nuk përfundonte në duart e tij. Por problemi është se bilanci i tij si “paqebërës” është shumë më i ndërlikuar sesa shifrat që ai shpall nga foltorja.

Lufta në Ukrainë vazhdon, konflikti me Iranin e ka përfshirë drejtpërdrejt Uashingtonin, teksa Gaza mbetet një plagë e hapur, pavarësisht deklaratave për marrëveshje dhe paqe.

Mbi të gjitha, mbështetja e e tij e pakushtëzuar për një luftënxitës, gjenocidist dhe kriminel lufte i shpallur në kërkim nga Haga si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e vështirëson mase, madje e bën të duket cinik pretendimin se Trump është një ndërmjetësues i paanshëm, i gatshëm të ushtrojë presion mbi palët për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

Sigurisht, diplomacia nuk matet vetëm me çmimet dhe as çdo konflikt nuk mund të zgjidhet me një telefonatë presidenciale. Por, nëse Trump dëshiron të hyjë në histori si njeriu që i dha fund luftërave, do t’i duhet të dëshmojë se rezultatet e tij zgjasin më shumë se deklaratat.

Deri atëherë, pretendimi se ka përfunduar tetë luftëra mund të shërbejë për mitingje dhe për vetëlavdërim, por nuk mjafton për ta shpallur atë paqebërës. Këtë herë, as titulli që i ka dhënë vetes nuk e ndihmoi: Navi Pillay mori Nobelin, ndërsa Trump mbeti sërish me gisht në gojë! \tesheshi

Exit mobile version