Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se “do të bëhet shumë para” pasi u takua me disa drejtues të kompanive të naftës në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar rreth investimeve në Venezuelë, raporton Anadolu.
“Ishte një takim i shkëlqyer që patëm sot me kompanitë më të mëdha kudo në botë”, u tha Trump gazetarëve teksa largohej nga vila ekzekutive për në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida.
“Ata do të investojnë me qindra miliarda dollarë dhe do të hapin puse nafte”, shtoi ai.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pas urdhërit të tij për një sulm ushtarak në mëngjesin e 3 janarit ndaj Venezuelës, që çoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores. Çifti u largua jashtë vendit dhe tani po përballet me akuza për drogë dhe armë në SHBA. Ata kanë mohuar akuzat në gjykatë.
“Të gjithë do të jenë të lumtur në Amerikën e Jugut, të gjithë. Ajo që kemi bërë është, disa do të thonë se është një mrekulli, me të vërtetë, ajo që u bë. Venezuela është e lumtur. Mendoj se të gjithë do të jenë të lumtur”, tha Trump.
Dje, qeveria venezuelase njoftoi se do të fillojë një proces eksplorues për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA-në pas kapjes së Maduros. Në një deklaratë thuhej se ky proces do të bëhet brenda “kornizës së ligjit ndërkombëtar” dhe në përputhje me “sovranitetin kombëtar dhe Diplomacinë Bolivariane të Paqes”.
Megjithatë, Karakasi edhe më tej kritikoi ashpër “agresionin kriminal, jolegjitim dhe të paligjshëm” që çuan në largimin me forcë nga vendi të Maduros dhe Flores, duke njoftuar se operacioni amerikan shkaktoi më shumë se 100 vdekje civile dhe ushtarake dhe ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
