Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe liderët evropianë zhvilluan një telefonatë të dielën për të diskutuar “hapat konkretë” për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, tha Presidenti finlandez, Alexander Stubb, transmeton Anadolu.
Në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, Stubb informoi se biseda telefonike e cila zgjati më shumë se një orë pas takimit Trump-Zelenskyy, përfshiu Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin polak, Karol Nawrocki, Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Store, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Diskutuam hapa konkretë se si t’i japim fund luftës. Ne të gjithë po punojmë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi ai.
Von der Leyen përshëndeti progresin e bërë gjatë bisedës.
“Pati përparim të mirë, të cilin e mirëpritëm. Evropa është e gatshme të vazhdojë të punojë me Ukrainën dhe partnerët tanë amerikanë për të konsoliduar këtë përparim”, tha Von der Leyen, duke theksuar se “Gjëja kryesore për këtë përpjekje është të kemi garanci të forta sigurie që nga dita e parë.”
Zyra presidenciale e Polonisë tha se u diskutua statusi i bisedimeve të paqes, duke shtuar se “Biseda tregon se çdo vendim në lidhje me paqen dhe sigurinë në rajon duhet të merret midis të gjitha palëve të interesuara”.
Trump priti Zelenskyyn në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, për të diskutuar planin e SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit gati katërvjeçar.
Presidenti ukrainas mbërriti në SHBA të dielën pas një vizite në Kanadanë fqinje.
