Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) po përgatitet të tërheqë shumicën e paqeruajtësve të saj në mes të vitit 2027, bëri të ditur sot një zëdhënëse e OKB-së.
E themeluar në vitin 1978, UNIFIL ka vepruar prej kohësh përgjatë kufirit Izrael–Liban dhe së fundmi ka punuar së bashku me ushtrinë libaneze në përpjekjet për çmontimin e infrastrukturës së Hezbollahut, pas raundit të fundit të luftimeve mes Izraelit dhe milicisë së mbështetur nga Irani.
”Pasi të skadojë mandati, UNIFIL do të përqendrohet në kthimin e personelit dhe pajisjeve në vendet e tyre të origjinës dhe në transferimin e pozicioneve te autoritetet libaneze”, tha zëdhënësja, Kandice Ardiel.
“Gjatë periudhës së tërheqjes, forca do të kufizohet në detyra thelbësore, përfshirë mbrojtjen e stafit dhe objekteve të OKB-së, si dhe garantimin e largimit të sigurt të paqeruajtësve”, shtoi ajo.
Edhe pse në nëntor 2024 u arrit një armëpushim, Izraeli ka vijuar pothuajse çdo ditë goditjet brenda Libanit, duke thënë se synon Hezbollahun, dhe ka mbajtur trupa të dislokuara në pesë pika përgjatë kufirit.
Ardiel vuri në dukje se niveli i trupave të UNIFIL-it në jug të Libanit është ulur tashmë me afro 2 000 trupa, ndërsa reduktime të tjera priten deri në maj.
Aktualisht, misioni përbëhet nga rreth 7 500 paqeruajtës nga 48 vende.
Ajo theksoi se uljet e fundit të trupave lidhen kryesisht me mungesën e përgjithshme financiare të OKB-së dhe masat për uljen e kostove, dhe jo drejtpërdrejt me afrimin e fundit të mandatit.
