Ballina Artikuj Turpi është prej besimit

Turpi është prej besimit

Ibn Omeri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:

“Turpi është prej besimit.”

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Ky hadith na mëson se turpi është një shenjë që njeriu ka besim në zemër.

Turp do të thotë: të mos bëjmë gjëra të këqija, të kemi kujdes në fjalë dhe në sjellje, të kemi ndjenjë kur diçka nuk është e drejtë. Një fëmijë që ka turp: nuk flet me fjalë të këqija, nuk tallet me shokët, nuk gënjen lehtë, dhe mendon: “Allahu po më sheh.” Kur kemi turp, ruajmë veten nga gabimet.

Turpi na mbron nga e keqja. Kur kemi turp, nuk bëjmë gjëra që Allahu nuk i pëlqen. Për shembull: Nëse një fëmijë mendon të gënjejë, por ndalet dhe thotë: “Nuk po e bëj, sepse nuk është e drejtë.” Ky është turp i bukur, që vjen nga besimi.

Turpi tregon se kemi zemër të pastër. Fëmijët e mirë kanë zemër të pastër dhe ndihen keq kur gabojnë. Kur një fëmijë: kërkon falje pasi gabon, ose skuqet kur bën diçka të gabuar, kjo tregon se zemra e tij është e gjallë dhe besimtare.

Turpi e zbukuron njeriun. Profeti (a.s) na ka mësuar se turpi e bën njeriun më të dashur dhe më të respektuar. Njerëzit e duan atë që: flet bukur, sillet me edukatë dhe ka turp.

Çfarë përfitojmë nga hadithi i mësipërm?

1 – Turpi është shenjë e besimit të fortë, sepse njeriu që ka besim turpërohet të bëjë gjëra të këqija.

2 – Turpi na mbron nga gabimet, si gënjeshtra, fjalët e këqija dhe sjelljet e pahijshme.

3 – Njeriu duhet të sillet ndaj njerëzve me turp dhe edukatë.

4 – Sa më besimtar që të jetë njeriu aq më shumë turp ka.

Nuk është mirë të tallemi

Një djalë ishte në klasë me shokët e tij. Shokët filluan të talleshin me një nxënës tjetër. Ai mendoi për një moment, pastaj tha: “Nuk është mirë të tallemi. Përkundrazi ne duhet ta lëmë atë rehat.” Edhe pse mund të qeshte me të tjerët, ai pati turp dhe zgjodhi të bënte të mirën.

Padyshim ky është turp që vjen nga besimi.

Mesazhi i ndodhisë së lartpërmendur:

Kur kemi turp dhe besim, zgjedhim të bëjmë të mirën edhe kur të tjerët bëjnë të keqen. Turpi na ndihmon të mos lëndojmë askënd me fjalë apo veprime. Ai që mbron të tjerët dhe sillet me edukatë, është i dashur te Allahu dhe te njerëzit.

Autor: Elton Harxhi

Exit mobile version