Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë, Abdulkadir Uraloglu tha sot se 11 anije në pronësi turke kanë kaluar në mënyrë të sigurtë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe janë larguar nga Gjiri që nga fillimi i luftës, transmteon Anadolu.
Uraloglu tha në platformën turke të mediave sociale “NSosyal” se Ankaraja po monitoron nga afër zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin “moment pas momenti” dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me anijet dhe qytetarët turq në rajon.
“Me nisjen e dy anijeve të tjera mëngjesin e 21 qershorit, numri i anijeve në pronësi turke që kanë dalë të sigurt nga Gjiri përmes Ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i luftës u rrit në 11”, tha ai. Gjithsej shtatë anije janë ende në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin e Gjirit, me 177 shtetas turq që shërbejnë në bord, shtoi Uraloglu.
Një nga anijet lundron nën flamurin turk. Ministri tha se Turqia do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme në të gjitha rrethanat për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe anijeve të saj.
Në prill, Uraloglu njoftoi se cisterna e naftës bruto në pronësi turke “Ocean Thunder”, që transportonte naftë bruto nga Iraku në Malajzi, kaloi në mënyrë të sigurt përmes ngushticës me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme turke.
Në atë kohë, ministri tha se disa anije në pronësi turke po prisnin rreth Ngushticës së Hormuzit dhe se autoritetet turke po punonin për të siguruar transitin e sigurt të anijeve dhe ekuipazheve të tyre.
Përpara marrëveshjes së fundit SHBA-Iran, rajoni ka qenë në alarm që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 3.000 njerëz deri më sot, përfshirë liderin e atëhershëm suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asetet ushtarake të SHBA. Ai gjithashtu kufizoi lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më kritike detare në botë, që lidh Gjirin me Gjirin e Omanit dhe rrugët globale të transportit të energjisë.
