Turqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Ministria e Arsimit Kombëtar (MEB) të Turqisë thuhet se marrëveshja u nënshkrua më 18 dhjetor në Ankara nga ministri i Arsimit Kombëtar, Yusuf Tekin dhe më 22 dhjetor në Shkup nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, Vesna Janevska.
Marrëveshja, e cila përfshin marrëveshje të përhershme dhe të qëndrueshme në fushat e gjuhës, kulturës, burimeve njerëzore, bursave, ekuivalencës së diplomave dhe institucioneve arsimore, synon të arrijë përfitime të konsiderueshme për Turqinë, duke forcuar kapacitetin e saj të diplomacisë arsimore dhe praninë institucionale në Ballkan.
Falë marrëveshjes, Turqia tani është në gjendje të hapë një institucion arsimor në Maqedoninë e Veriut dhe është krijuar një bazë ligjore për hapjen e një ndërtese simbolike e mbetur nga epoka osmane si një “Shkollë Turke” në Maqedoninë e Veriut.
Me miratimin e autoriteteve përkatëse, kurrikula turke ose programet ndërkombëtare të mësimdhënies mund të zbatohen në këtë institucion arsimor. Për më tepër “gjuha dhe kultura turke” mund të mësohet si lëndë me zgjedhje në shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut që ofrojnë arsim në maqedonisht ose shqip.
Marrëveshja gjithashtu hap rrugën që Maqedonia e Veriut të njohë dokumentet arsimore të marra përmes sistemit të qeverisjes elektronike të Turqisë pas verifikimit diplomatik.
Marrëveshja e cila përfshin hapa konkretë për bashkëpunim në nivelin e arsimit të lartë, përmban dispozita që garantojnë aksesin e studentëve turq në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe mbështesin ofrimin e bursave për studentët turq nga Maqedonia e Veriut në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Kombëtar.
Me rregulloret që synojnë inkurajimin e shoqatave të të diplomuarve, ofrohet mundësia për forcimin në Ballkan e rrjeteve të të diplomuarve me bazë në Turqi. Përmes këtyre dispozitave, teksa rritet kapaciteti i Turqisë për referimin dhe monitorimin e studentëve në Maqedoninë e Veriut, njëkohësisht synohet edhe krijimi i një rrjeti bashkëpunimi të qëndrueshëm.
Përmes një grupi të përbashkët pune që do të formohet në kuadër të marrëveshjes, do të sigurohet edhe rregullimi, monitorimi dhe vlerësimi i aktiviteteve arsimore midis dy vendeve.
Me këtë marrëveshje, protokollet arsimore të viteve 1994 dhe 2012 janë shfuqizuar, duke bashkuar marrëdhëniet arsimore midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut nën një kuadër ligjor të vetëm, të azhurnuar dhe gjithëpërfshirës.
