Turqia sot përkujton viktimat e sulmit racist të vitit 1993 në Solingen të Gjermanisë, nga i cili pesë anëtarë të një familjeje turke humbën jetën ndërsa 14 të tjerë u lënduan, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne përkujtojmë me respekt dhe mëshirë pesë qytetarët tanë të cilët u masakruan si rezultat i sulmit me zjarrvënie ndaj shtëpisë së tyre nga një grup ksenofobësh dhe racistësh në Solingen të Gjermanisë, më 29 maj 1993”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.
Përvjetori vjen disa ditë pasi partitë anti-emigrante dhe ekstremiste të djathta shënuan rritje të konsiderueshme në zgjedhjet evropiane, përfshirë edhe Gjermaninë.
“Ne dëshirojmë që një incident i tillë të mos ndodhë kurrë në asnjë vend tjetër në botë”, thuhet në deklaratën e ministrisë, në të cilën është bërë thirrje për unitet shoqëror me ndihmën e politikanëve dhe mediave për të luftuar ngritjen e islamofobisë dhe racizmit në Evropë.
Turqia po ashtu ka theksuar nevojën për të nxjerrë mësime nga kjo tragjedi dhe për të marrë masa efektive për parandalimin e sulmeve të ardhshme.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar vendimin e shtetit gjerman Rajna-Vestfalia Veriore për të krijuar një medalje të emëruar sipas njërës prej të mbijetuarve të sulmit, Mevlude Genç, për njerëzit që japin kontribute në tolerancën dhe pajtimin ndërkulturor.
Kujtojmë se fatkeqësia në Solingen ndodhi 26 vjet më parë, kur katër racistë ekstremistë të rinj i vënë zjarrin shtëpisë së familjes turke Genç.
Nga zjarrvënia jetën humbën tri vajza dhe dy gra ndërsa 14 anëtarë të tjerë të familjes u lënduan, përfshirë disa fëmijë.
Tre nga sulmuesit janë dënuar me dhjetë vjet burg, ndërsa i katërti ka marrë 15 vjet.
