Turqia ka përshëndetur vendimin e SHBA-së për të hequr sanksionet e vendosura ndaj Sirisë në kuadër të “Aktit të Cezarit”, transmeton Anadolu.
“Shpresojmë që ky hap të inkurajojë më tej bashkëpunimin ndërkombëtar për rindërtimin dhe zhvillimin e Sirisë dhe të kontribuojë në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në vend”, shkroi në rrjetet sociale zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Oncu Keceli.
Kjo vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, duke i dhënë fund zyrtarisht sanksioneve të vendosura sipas “Aktit të Cezarit” gjatë sundimit të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assadit.
“Akti i Cezarit për Mbrojtjen e Civilëve Sirianë” i vitit 2019 i mundësonte SHBA-së të vendoste sanksione ekonomike dhe ndalime udhëtimi ndaj kujtdo, sirian apo të huaj, që ndihmonte sektorët ushtarakë, të inteligjencës, aviacionit apo të prodhimit të energjisë të regjimit të mëparshëm të Assadit.
Ai gjithashtu synonte individë dhe entitete që ndihmonin regjimin të siguronte mallra, shërbime ose teknologji që mundësonin operacione ushtarake.
Assadi, udhëheqës i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963. Në janar u formua një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga presidenti Ahmad al-Sharaa.
