“Deklaratat që janë të papajtueshme me faktet historike dhe të drejtën ndërkombëtare në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 nuk janë të vlefshme. Këtu përfshihet edhe deklarata fatkeqe e presidentit amerikan Biden (24.04.2022), e cila është përsëritja e gabimit që ai kishte bërë në vitin 2021. Ne i hedhim poshtë deklarata dhe vendime të tilla, të cilat shtrembërojnë faktet historike me motive politike dhe i dënojmë ata që këmbëngulin në këtë gabim”,- thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
“Qasjet e njëanshme dhe selektive që nuk i shërbejnë asnjë qëllimi tjetër veçse të nxjerrin armiqësi nga historia, janë moralisht problematike dhe politikisht keqdashëse. Një qëndrim humanitar dhe i ndërgjegjshëm kërkon përkujtimin e të gjitha vuajtjeve të përjetuara në atë periudhë, pa bërë dallim etnik apo fetar. Turqia përkujton me respekt dhimbjet e të gjithë popullsisë osmane, përfshirë armenët. Ne refuzojmë përpjekjet për t’i shfrytëzuar këto dhimbje për qëllime politike. Turqia është e mendimit se periudhat e diskutueshme në histori, si ngjarjet e vitit 1915, duhet të studiohen pa paragjykime duke respektuar parimet shkencore dhe ligjore për të arritur në një kujtesë të drejtë. Me këtë mirëkuptim, Turqia ka propozuar krijimin e një Komisioni të Përbashkët të Historisë dhe i ka hapur arkivat e saj. Turqia përpiqet që në rajonin e saj dhe në botë të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti, dhe për të nxjerrë në plan të parë frymën e bashkëpunimit. Nisma e normalizimit me Armeninë është një tjetër manifestim i këtij mirëkuptimi”,- vijon deklarata e Ministrisë.
Edhe zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin ka reaguar në rrjetet sociale ndaj përdorimit të fjalës “gjenocid” nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara (SHBA) Joe Biden në deklaratën e tij në lidhje me ngjarjet e 1915-ës.
“Barbarë modernë që kanë vrarë miliona, kanë shkaktuar luftëra botërore, kanë bërë armë të shkatërrimit në masë, kanë hedhur bomba atomike, kanë tregtuar skllevër dhe ekspozuar njerëz në kopshtet zoologjike… Në historinë tonë nuk ka njollë gjenocidi, spastrimi etnik apo Holokausti. Ju shikoni veten tuaj në pasqyrë”, shkruan Kalin në postimin që ka bërë në llogarinë e tij në Twitter. /trt
