Ballina Autorë Opinione “Ukraina nuk është larg”, Kosova shumë afër

“Ukraina nuk është larg”, Kosova shumë afër

Sefer Tahiri

Nëse serbëve të Kosovës, me afërsisht pesë për qind prani demografike, u lejohet formimi i Asociacionit të Komunave, i cili do të kishte kompetenca të mundshme ekzekutive, natyrisht se ky fakt do të ketë implikime edhe në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët, me 30 për qind prani zyrtare demografike, natyrshëm do të shtrojnë pyetjen se pse ata të mos kërkojnë asociacion ose edhe formë dhe mënyrë tjetër të organizimit të shtetit.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

“Ukraina nuk është larg” ka qenë deklarata e famshme e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e dhënë në vitin 2014, nga e cila bashkëpartiakët e tij krijojnë narrativin se kreu i integristëve është vizionar i pashoq, që i parashikon zhvillimet më të ndjeshme globale.

Deklarata vizionare mbi Ukrainën

Deklarata e Ahmetit u bë gjatë kohës kur në Ukrainë nisën tensionet dhe konfliktet, ndërsa siç raportonte “Zëri i Amerikës” atë kohë “separatistët prorusë në rajonet Donetsk dhe Luhansk kishin marrë ndërtesat qeveritare dhe i shpallën rajonet si “republika popullore” të pavarura. Ky veprim pasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia”.

Nisur nga ky parashikim i madh gjeopolitik, “adhuruesit” e Ahmetit shprehen se kur arriti të parashikojë luftën në Ukrainë, nuk duhet të brengosen për menaxhimin politik të proceseve në nivel kombëtar apo rajonal.

Ukraina, duke parë zhvillimet në kontekst gjeostrategjik vërtet nuk është e largët, qoftë në kuptim gjeografik, e sidomos në atë gjeopolitik është bërë tepër e afërt.

Ukraina dhe përballja e saj me sulmet nga Rusia, e cila tentimin për pushtim e quajti “operacion special ushtarak” janë tregues i qartë se gjendja shpejt del nga kontrolli dhe pak duhet që paqja të zëvendësohet me luftë. Pra, rajoni, siç është ai ruso-ukrainas, ngjashëm si Ballkani, është me përbërje etnike diversive dhe në sfondin historik ka shumë konflikte dhe mosdurime, të përcjella me tentime për pushtime territoresh dhe përvetësimin e burimeve natyrore. Ballkani, është rajon fragjil, duke pasur parasysh edhe diversitetin fetar brenda tij, por në anën tjetër siguria është e garantuar, duke marrë parasysh se disa shtete, mes të cilave Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, në të cilat jetojnë shqiptarët janë anëtare të NATO-s. Për dallim nga sulmi ndaj Ukrainës, Serbia tentoi ta pushtojë Kosovën, duke mos qenë shtet i pavarur, por njësi federative e ish RSFJ-së edhe me status krahine dhe jo republikë, ndërsa pikërisht ky ka qenë argumenti i botës demokratike dhe perëndimore, që ka kundërshtuar shpalljen e rajoneve rusishtfolëse lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si shtete të pavarura, rajon ky që njihet me emrin Donbas. Këto republika të vetëshpallura, kanë presidentë dhe qeveri të vetëshpallura, që nuk njihen nga shtetet evropiane demokratike. Subjektiviteti juridik-shtetëror, që ka pasur Kosova brenda ish Jugosllavisë, e bën rast “sui generis” dhe e hedh poshtë argumentin rus se “nëse Kosova mundet, atëherë edhe Donetsku dhe Luhansku munden”, përkatësisht përdorimi i pavarësisë së Kosovës për të arsyetuar shkëputjen e njëanshme dhe shpalljen e pavarësisë së republika popullore të vetëshpallura”.

Si Ukraina na qenka dhe Kosova nuk na qenka larg?

Tetë vite pas deklaratës vizionare, Ahmeti bërë një deklaratë tjetër, e cila pak a shumë në stilin e tij do të thotë “Kosova është larg”.

Lideri i BDI-së deklaroi se “Nuk mendoj që zhvillimet në Veri do të ndikojnë në Maqedoni. Maqedonia është shtet stabil, Maqedonia është në procese të rëndësishme. Të gjithë, pavarësisht dallimeve, të kontribuojmë në forcimin e paqes, stabilitetit, sigurisë”.

Ditëve të fundit flitet për përshkallëzim të mundshëm të gjendjes së sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të targave! Një ish ambasador i Malit të Zi në NATO nuk e ka përjashtuar as dhunën, nëse nuk arrihet marrëveshje.

Historia e re e Kosovës ka dëshmuar se zhvillimet atje ndikojnë detyrimisht në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë sakrifikuar gjatë kohë statusin e tyre juridik-kushtetues për hir të statusit të Kosovës, meqë kërkesat e tyre legjitime shpesh “kufizoheshin” për shkak të përpjekjeve të Kosovës për pavarësi.

Në vitin 2003, në studimet e magjistraturës në fushën e komunikimit, pata bërë analizë të përmbajtjes së lajmeve njëjavore në Programin në Gjuhën Shqipe dhe maqedonase të televizionit publik – TVM, i cili fatkeqësisht vazhdon të mbetet shtetëror-qeveritar. Kjo analizë rezultoi se në aspektin sasior, në lajmet e rajonit, më shumë u jepet hapësirë zhvillimeve në Kosovë, sesa atyre në Shqipëri, edhe pse shteti shqiptar është shteti amë. Kjo gjetje, për mua të paktën, nuk ishte fare befasi, meqë ky fakt është rezultat i lidhshmërive të shumta familjare, emotive, tregtare-ekonomike dhe politike, që i kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut me ata të Kosovës, shto këtu edhe faktin e rëndësishëm se këto dy shtete dikur ishin pjesë e një shteti federativ.

Në luftën e tyre për liri dhe pavarësi, shqiptarët e Kosovës kanë qenë krah për krah me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndërsa një pjesë e tyre kanë rënë heroikisht dëshmorë. Po ashtu jo për mburrje, por për faktografi, duhet thënë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i hapën dyert për shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin dëbuar me dhunë nga pushteti i Millosheviqit.

Gjithsesi se bashkëpunimi vëllazëror ka qenë gjithmonë reciprok. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë falënderues edhe për faktin se elita intelektuale shqiptare, pavarësisht se cilësia e saj shpesh kontestohet, në masë të madhe është ndërtuar falë Universitetit të Prishtinës.

Tensionimi në Kosovë me pasoja ndaj Maqedonisë së Veriut

Andaj tensioni i mundshëm në veri të Kosovës është e paimagjinueshme të kalojë pa pasoja ndaj stabilitetit të Maqedonisë së Veriut.

Nëse serbëve të Kosovës, me thuajse as 5 për qind prani demografike u lejohet formimi i Asociacionit të Komunave, i cili do të kishte kompetenca të mundshme ekzekutive, natyrisht se do të ketë implikime edhe në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët, me 30 për qind prani zyrtare demografike, natyrshëm do të shtrojnë pyetjen se pse ata të mos kërkojnë asociacion ose edhe formë apo mënyrë tjetër të organizimit të shtetit.

Çdo lëvizje apo projekt, që favorizon një palë, duhet analizuar mirë e mirë nga faktori ndërkombëtar, para se t’u ofrohet palëve për pëlqim.

“Efekti domino” i tensionimit të mundshëm jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë apo në ndonjë shtet tjetër, pashmangshëm do të shtrihet edhe në Maqedoninë e Veriut, e cila që nga viti 2017 nuk ka konflikt të hapur apo të dukshëm, edhe pse herë-herë, me incidente të ndryshme, i tejkalon kufijtë e brishtësisë latente! /shenja

Exit mobile version