Ukraina tha më 25 mars se bisedimet me Moskën janë “shumë të vështira” dhe u zotua se nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj.
“Procesi negociues është shumë i vështirë”, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
“Delegacioni ukrainas ka një qëndrim të fortë dhe nuk heq dorë nga kërkesat e tij. Ne insistojmë, para së gjithash, për një armëpushim, garanci të sigurisë dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shtoi ai.
Ai po ashtu tha se “nuk ka konsensus” në çështjet kyçe me Rusinë, që ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
“Në veçanti, gjuha ukrainase është dhe do të jetë gjuha e vetme zyrtare në Ukrainë”, tha ai. /rel
