Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha sot se 11 persona u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën në sulmet ruse gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në Telegram, Klitschko tha se mbetje nga raketa dhe dronë të interceptuar ranë në disa pjesë të kryeqytetit ukrainas, duke shkaktuar zjarre dhe dëme. Ai shtoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdonjnë.
Në një deklaratë të veçantë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se kishte kryer sulmin gjatë natës, duke thënë se ai ishte bërë si përgjigje ndaj “sulmeve terroriste” të Ukrainës ndaj infrastrukturës civile brenda Rusisë.
Sipas ministrisë, sulmet kishin në shënjestër ndërmarrje ushtarake, objekte të karburantit dhe energjisë në Kiev dhe rajonin përreth si dhe infrastrukturën e aeroporteve ushtarake në rajonet Dnipropetrovsk, Poltava, Cherkasy, Chernihiv dhe Kiev.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi gjithashtu sulme gjatë natës në territoret e kontrolluara nga Rusia, duke thënë se një goditje shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin Sevastopol në Krime.
Furnizimi me energji elektrike u rikthye më vonë, thanë autoritetet lokale. Verifikimi i pavarur i pretendimeve të të dyja palëve është i vështirë për shkak të konfliktit që po vazhdon.