Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ukrainë, dorëheqje dhe shkarkime mes akuzave për korrupsion

Ukrainë, dorëheqje dhe shkarkime mes akuzave për korrupsion

Shumë zyrtarë ukrainasë kanë dhënë dorëheqje ose janë shkarkuar nga detyrat e tyre mes hapave të Kievit për të luftuar akuzat për korrupsion në qeveri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i kabinetit të ministrave, Oleh Nemchinov, në llogarinë e tij në telegram njoftoi se nga detyra e tyre u liruan katër zv/ministra, përkatësisht Vyacheslav Shapovalov nga Ministria e Mbrojtjes, Ivan Lukerya dhe Vyacheslav Nehoda nga Ministria e Komuniteteve, Territoreve dhe Zhvillimit të Infrastrukturës, si dhe Vitaliy Muzychenko nga Ministria e Politikës Sociale.

Guvernatorët e rajoneve të Kievit, përkatësisht të rajoneve Dnipropetrovsk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Sumy, gjithashtu u shkarkuan.

Në një mesazh tjetër në telegram, përfaqësuesi zyrtar i qeverisë në parlament, Taras Melnychuk, tha se deputetët Anatoliy Ivankevych dhe Viktor Vyshnyov nga Shërbimi Shtetëror i Transportit Detar u hoqën nga postet e tyre.

Më herët, nënkryetari i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, njoftoi dorëheqjen e tij një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelenskyy nënshkroi një dekret për shkarkimin e tij.

“Falënderoj presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për besimin dhe mundësinë për të bërë vepra të mirë çdo ditë dhe çdo minutë”, tha Tymoshenko në telegram, pa shpjegime të mëtejshme.

Guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba, pritet të zëvendësojë Tymoshenko-n, që ishte në detyrë që nga muaji maj i vitit 2019.

Zv/ministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov, sipas ministrisë, gjithashtu dorëzoi dorëheqjen e tij.

“Vyacheslav Shapovalov, i cili ishte përgjegjës për mbështetjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës, kërkoi të shkarkohet si rezultat i fushatës së akuzave në lidhje me prokurimin e shërbimeve ushqimore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria ukrainase theksoi se derisa Shapovalov tha se akuzat e drejtuara kundër tij ishin “të pabaza”, dorëheqja e tij ishte “një akt i denjë në traditat e politikës evropiane dhe demokratike, një demonstrim se interesat e mbrojtjes janë më të larta se çdo kabinet apo karrige”.

Ndërkohë, sipas një njoftimi nga Zyra e Përgjithshme e Prokurorit, zv/prokurori i përgjithshëm, Oleksiy Symonenko, po ashtu u shkarkua nga posti.

“Prokurori i përgjithshëm, Andriy Kostin, nënshkroi një urdhër për shkarkimin vullnetar nga posti administrativ i zv/prokurorit të përgjithshëm, Oleksiy Symonenko”, thuhet në njoftim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Një hetim nga gazeta ‘Pravda’ tha se Symonenko udhëtoi në Spanjë për një festë 10-ditore në një makinë luksoze në pronësi të biznesmenit me bazë në Lviv, Grigory Kozlovsky.

Në një video-adresim mbrëmë vonë, presidenti Zelenskyy tha se Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes dhe Sigurisë vendosi të ndalojë zyrtarët qeveritarë të udhëtojnë jashtë vendit për qëllime jashtë detyrave të tyre.

Presidenti ukrainas theksoi se do të ri-organizojë zyrtarë në nivele të ndryshme në ministri, organe administrative qendrore dhe vendore, si dhe në ato të zbatimit të ligjit.

Ndërkohë, këshilltari presidencial, Mykhailo Podolyak, në llogarinë e tij në twitter tha se vendimet e presidentit Zelenskyy mbi personelin “dëshmojnë për prioritetet kryesore të shtetit”.

“Nuk i mbyllim sytë. Gjatë luftës, të gjithë duhet të kuptojnë përgjegjësinë e tyre. Presidenti sheh dhe dëgjon shoqërinë dhe ai i përgjigjet drejtpërdrejt një kërkese kryesore publike. Drejtësi për të gjithë”, shkroi Podolyak. /aa

Exit mobile version