Universiteti i Malit të Zi njoftoi se po shqyrton ndryshime të rregullave që do të mundësonin heqjen e titujve të nderit të dhëna më parë, pasi emri i politikanit sllovak Miroslav Lajçak, mbajtës i një titulli nderi të këtij institucioni, u shfaq në dokumente të lidhura me aferën globale të njohur si “Dosjet Epstein”, transmeton Anadolu.
Universiteti tha se aktualisht nuk ekziston bazë ligjore për heqjen e mirënjohjeve tashmë të dhëna, por se, duke pasur parasysh ruajtjen e reputacionit të institucionit dhe respektimin e standardeve më të larta etike, do të iniciojnë shqyrtimin e ndryshimeve të rregulloreve që përcaktojnë dhënien dhe tërheqjen eventuale të titujve të nderit, është konfirmuar për RTCG.
Universiteti i Malit të Zi ia ndau Lajçakut titullin e nderit në vitin 2019 për, siç u theksua atëherë, promovimin e vlerave të proceseve demokratike dhe tolerancës multikulturore, si dhe për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës dhe diplomacisë, forcimin e marrëdhënieve malazezo-sllovake dhe lidhjen e institucioneve universitare.
Gjatë ndarjes së doktoratës “honoris causa”, Lajçak deklaroi se Mali i Zi bashkëkohor njihet në komunitetin ndërkombëtar si një shtet i suksesshëm, kujton RTCG-ja.
Çështja e titujve të nderit u rihap pasi Depertamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi miliona dokumente të reja lidhur me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein, i cili vdiq në vitin 2019.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Departamentit, në këto dokumente përmenden ish-shefi i diplomacisë sllovake Miroslav Lajçak dhe ish-presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Gjukanoviq menjëherë pas publikimit të informacionit mohoi çdo lidhje me Epsteinin.
