Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Uragani Florence në SHBA vazhdon të marrë jetë

Uragani Florence në SHBA vazhdon të marrë jetë

 Është rritur në 17 numri i personave që kanë humbur jetën në Karolinën Veriore dhe Jugore, ku stuhia Florence goditi pjesën lindore të SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët kanë bërë të ditur se 11 persona kanë humbur jetën në Karolinën e Veriut dhe 6 persona në Karolinën e Jugut nga përmbytjet dhe stuhitë e forta të shkaktuara nga uragani i cili tashmë ka marrë trajtën “depresion tropikal”.

Në mesin e viktimave të fundit theksohet se ndodhet dhe një foshnjë 3 muajshe që ka humbur jetën për shkak të një peme që ka rënë mbi shtëpinë ku banonin.

– “Ka arritur në pikën më të rrezikshme”

Ndërkohë governatori i Karolinës së Veriut Roy Cooper në një deklaratë për shtyp tha se “Uragani ka arritur në pikën më të rrezikshme deri më tani” si dhe ka paralajmëruar banorët për të qenë në gadishmëri kundër përmbytjeve të papritura në Karolinën e Veriut dhe të Jugut.

Po ashtu është njoftuar se niveli i lumit Cape Fear në Karolinën e Veriut sa vjen e rritet dhe se brenda dy ditëve mund të dalë nga shtrati, dhe për shkak të rrezikut të përmbytjeve është bërë paralajmërimi për evakuim të përafërsisht 2.800 shtëpive përreth lumit.

Qendra Kombëtare e Uraganit njoftoi se për shkak të rënies së shpejtësisë deri në 56 kilometra në orë uragani Florence është reduktuar në “depresion tropikal”.

Uragani ka përmbytur shumë shtëpi në Karolinën Veriore dhe Jugore. Autoritetet paralajmëruan se ujërat e përmbytjeve mund të arrijnë deri në një metër, ndërsa theksohet se më shumë se një milion njerëz në dy rajonet kanë mbetur pa energji elektrike.

Nga uragani ku mund të preken më shumë se 10 milionë persona, parashikohet se do të shkaktojë edhe një dëm me vlerë rreth 170 miliardë dollarë.

Exit mobile version