Ballina Lajmet Ushtarakët shqiptarë certifikohen nga NATO

Ushtarakët shqiptarë certifikohen nga NATO

Forcat e Armatosura të Shqipërisë pas përfundimit të stërvitjes ushtarake kanë pjesë të tyre një grup batalion të vlerësuar sipas standardeve të NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fund të stërvitjes njëjavore “Albanian Lion/Biza 18”, ku morën pjesë mbi 1 mijë e 200 trupa e mjete ushtarake, Grup- Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) u certifikua si “Combat Ready” (I gatshëm për luftë), nën monitorimin e ekspertëve të NATO-s, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në fjalën e saj në ceremoninë për përfundimin e stërvitjes tha se Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke u renditur të barabartë mes të barabartëve.

“Certifikimi, nga ana e NATO-s, i Grup Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë dhe deklarimi i tij, Combat Ready (I gatshëm për luftë) shënon përmbushjen e pjesës më të rëndësishme të detyrave tona të shtëpisë, detyrimeve të Paketës së Objektivave të Kapaciteteve të vendit tonë ndaj Aleancës. Ndaj pa frikë mund ta quajmë këtë hop cilësor, një eveniment historik në marrëdhëniet tona me NATO-n”, theksoi ministrja Xhaçka në ceremoninë e organizuar në zonën e Bizës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Grup- Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë gjatë stërvitjes certifikuese “Albanian Lion/Biza 18” u angazhua në një sërë skenarësh, të përgatitur mbi praktikat më të mira të vendeve të NATO-s, duke testuar kapacitetet operacionale që ata zotërojnë, por edhe për aftësitë e tyre profesionale në fushën e luftimit.

Për disa ditë me radhë në Shqipëri, në disa zona të vendit u organizua edhe stërvitja ushtarake “Albanian Lion 2018” me pjesëmarrjen e Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Britanisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Exit mobile version