Nga selia e OKB-së në Nju Jork, gazetari Gabriel Elizondo i Aljazeera raporton se Izraeli është përfshirë për të dytin vit me radhë në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara për shkelje të rënda ndaj fëmijëve në zona konflikti.
Ky është viti i 24-t që OKB publikon këtë raport vjetor, i cili dokumenton vrasjet, gjymtimet dhe rekrutimin e fëmijëve në konflikte të armatosura, si dhe sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve. Raporti përfshin vetëm rastet që janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB.
Pavarësisht se ka pasur dëshmi të shumta ndër vite për përfshirjen e Izraelit në këto shkelje, për një kohë të gjatë ai nuk është përmendur në listë, për shkak të presioneve diplomatike. Kjo ndryshoi vitin e kaluar, kur Izraeli u përfshi për herë të parë.
Në raportin për vitin 2024, i publikuar këtë javë, Izraeli përmendet sërish në aneksin që i kushtohet palëve që “vrasin dhe gjymtojnë fëmijë” dhe që “sulmojnë shkolla dhe/ose spitale”.
Nga gjithsej 41,370 shkelje të rënda ndaj fëmijëve të verifikuara në mbarë botën këtë vit, mbi 8,000 – rreth 20 për qind – janë kryer nga Izraeli në territoret palestineze të pushtuara. /mesazhi
