Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ushtria izraelite kryen bastisje në Bregun Perëndimor të pushtuar

Ushtria izraelite kryen bastisje në Bregun Perëndimor të pushtuar

Ushtria izraelite të premten vonë bastisi qytezën Deir Al-Ghusun, në verilindje të qytetit Tulkarm, në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se “Forcat speciale (izraelite) rrethuan një shtëpi në Deir al-Ghusun mes të shtënave të vazhdueshme me armë zjarri”.

“Përforcime mbërritën nga pika e kontrollit ushtarak Annab drejt qytezave Anabta, Bal’a dhe Deir Al-Ghusun”, shtoi ajo.

Përdorues të mediave sociale thanë gjithashtu se përleshje të armatosura shpërthyen në Deir Al-Ghusun midis ushtrisë izraelite dhe palestinezëve.

Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës, e cila ka vrarë mbi 34.600 njerëz, pas një inkursioni nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.

Të paktën 491 palestinezë janë vrarë dhe mbi 4.950 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Exit mobile version