Ushtria siriane njoftoi të shtunën se ka përfunduar një kontroll të plotë sigurie në lagjen Sheikh Maqsoud, në qytetin verior të Halepit, mes përshkallëzimit të tensioneve me grupin terrorist YPG.
Komanda e Operacioneve e ushtrisë siriane u kërkoi civilëve në lagje “të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos dalin jashtë, për shkak të elementëve terroristë të YPG-së dhe PKK-së që fshihen mes tyre”, raportoi Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA).
Sipas njoftimit, civilët mund t’u drejtohen forcave në terren në raste emergjente ose për të raportuar praninë e personave të dyshuar.
Më herët, ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se “e vetmja mundësi që u ka mbetur elementëve të armatosur në lagjen Sheikh Maqsoud të Halepit është të dorëzohen menjëherë, së bashku me armët e tyre, në pikën më të afërt ushtarake, në këmbim të garantimit të jetës dhe sigurisë personale”.
Ajo shtoi se ushtria “ka nisur misionet e saj për të shtrirë sovranitetin kombëtar dhe do të veprojë me vendosmëri, duke shkatërruar çdo burim zjarri, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e zonës dhe për të mbrojtur civilët”.
Një raport i mëhershëm i SANA-s tha se operacioni i ushtrisë u përball me vështirësi për shkak të “përdorimit të civilëve si mburoja njerëzore” nga organizata terroriste YPG dhe “pozicionimit të tyre në shtëpitë e banorëve”, duke shtuar se ushtria arrestoi edhe disa anëtarë të YPG-së.
Ministria siriane e Mbrojtjes kishte njoftuar më herët se operacionet në lagje po zhvilloheshin “ngadalë dhe me kujdes ekstrem”, pasi grupi terrorist po përdorte civilët si “mburoja njerëzore”, sipas SANA-s.
Gjithashtu u bë e ditur se gjatë operacioneve të kontrollit janë sekuestruar armë të rënda që i përkisnin grupit terrorist.
Ushtria siriane njoftoi vonë të premten se kishte nisur një operacion në lagje kundër grupit terrorist YPG, pasi kishin skaduar të gjitha afatet e dhëna për tërheqjen e grupit nga zona.
