Komiteti i barnave për përdorim njerëzor i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) ka rekomanduar miratimin e një vaksine të kombinuar kundër koronavirusit dhe gripit sezonal, të zhvilluar nga kompania bieoteknologjike Moderna, për të rriturit mbi moshën 50-vjeç, transmeton Anadolu.
Vaksina, e njohur si “mCombriax”, sipas komitetit, është vaksina e parë e kombinuar e bazuar në teknologjinë mRNA që merr një opinion pozitiv nga rregullatorët evropianë.
Autoritetet shëndetësore evropiane thanë se të dhënat klinike treguan se personat që morën vaksinën e kombinuar zhvilluan përgjigje imunitare të krahasueshme me ata që morën veçmas vaksinat kundër gripit dhe koronavirusit COVID-19.
Rekomandimi i EMA-s tani i dërgohet Komisionit Evropian për miratim përfundimtar, një hap që zakonisht është procedural përpara se vaksina të mund të tregtohet në të gjithë Bashkimin Evropian (BE).
Nëse autorizohet, zyrtarët shëndetësor theksuan se vaksina do të jetë e disponueshme për përdorim në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe në Zonën Ekonomike Evropiane më gjerë, duke ofruar një mjet të ri në përpjekjet për të mbrojtur popullatat e moshuara nga sëmundjet respiratore gjatë sezoneve me kulm infeksionesh.
