Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Varfëria dhe papunësia shpërthejnë në Gaza pas luftës izraelite

Varfëria dhe papunësia shpërthejnë në Gaza pas luftës izraelite

Varfëria dhe papunësia në Rripin e Gazës janë rritur ndjeshëm pas më shumë se dy vjetësh lufte izraelite, duke e çuar ekonominë e territorit drejt kolapsit pothuajse të plotë. Sipas vlerësimeve, ekonomia e Gazës ka rënë me rreth 87 për qind, duke lënë qindra mijëra familje pa të ardhura dhe pa mjete jetese.

Mijëra banorë jetojnë të zhvendosur në shkolla dhe tenda të improvizuara. Alaa Alzanin, 41 vjeç, i zhvendosur disa herë me familjen e tij, thotë se ka mbetur pa punë dhe nuk është më në gjendje të sigurojë ushqim për fëmijët. Ai më parë punonte si punëtor ditor në bujqësi dhe infrastrukturë, por sot, si shumica e banorëve të Gazës, është i papunë.

Situata është edhe më e rëndë për familjet me persona të sëmurë. Majed Hamouda, 53 vjeç nga Jabalia, i sëmurë nga poliomieliti, jeton me familjen në një klasë shkolle dhe mbijeton vetëm nga ndihmat, të cilat janë ndërprerë që nga fillimi i luftës. Ai thotë se shpesh familja e tij mbetet pa ushqim dhe se fëmijët detyrohen të mbledhin mbeturina për të siguruar mbijetesën.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, Gaza po përballet me krizë urie dhe rrezik urie masive, pasi ndihmat që hyjnë në territor janë shumë më pak se nevojat ditore. Ndërkohë, Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave njoftoi se papunësia ka arritur në 80 për qind në Gaza, duke e kthyer krizën humanitare në një nga më të rëndat në botë. /mesazhi

Exit mobile version