Ballina Lajmet Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare

Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare

Mijëra qytetarë të organizuar nga Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” edhe mbreme marshuan rrugëve të Shkupit kundër kandidatit të propozuar për kryeparlamentar, Talat Xhaferi, si dhe kundër platformës shqiptare, e cila sipas tyre “është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe synon të dëmtojë karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Si zakonisht, protestuesit u tubuan para godinës së Qeverisë për të vazhduar drejt Kuvendit të Maqedonisë, ku organizatorët në adresimet e tyre porositën se nuk do të pranojnë kryeparlamentar nëse i njëjti nuk e refuzon platformën shqiptare.

Pas adresimeve dhe porisive të organizatorëve para Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit u shpërndanë në mënyrë paqësore. Një ndër kërkesat kyçe të protestuesve është edhe refuzimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, “përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin do ta çojë vendin drejt ridefinimit”.

Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” paralajmëroi se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë, deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.

Protestat e iniciuara nga kjo iniciativë filluan nga 27 shkurti i këtij viti, kur kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ia dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ndërsa presidenti pas dy ditëve të njëjtën e refuzoi duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocion për platforma të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.

Ndryshe, në debatin parlamentar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, temë qendrore vazhdon të mbetet deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni të cilët u zotuan se nuk do të marrin pjesë në qeverinë e re nëse nuk plotësohen kërkesat e theksuara në të.

Para disa ditëve, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me nënshkrimin e 20 deputetëve dorëzuan propozim për kryetar të ri të Kuvendit kandidatin e BDI-së, Talat Xhaferi, mirëpo VMRO-DPMNE-ja kërkon që kandidati i ri që do të propozohet të jetë kundër platformës shqiptare.

Exit mobile version